Arrestohet autori i “terrorit në Sarandë. I jati humbi gjyqin me ortakun, djali rrafshoi hotelin me tritol…
Pas hedhjes në erë të hotel Bizantit në Sarandë mëngjesin e së hënës, grupi i posaçëm hetimor ka arrestuar autorin. Ai është Sotir Çabiri, babai i të cilit kundërshtonte vendimin e gjykatës për dhënien e hotelit në masën 90%, Dhimitër Evangjeliu, ndërsa atij vetë si ortak, Spirto Çabirit, i mbetej vetëm 5% e kësaj prone.
“Pas ngjarjes së ndodhur mëngjesin e djeshëm, në Sarandë, u ngrit një grup i posaçëm hetimor, i përbërë nga specialistët dhe ekspertët më të mirë të Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, DVP Vlorë dhe Komisariatit të Policisë Sarandë, dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë, vijuan veprimet për zbardhjen e ngjarjes.
Si pasojë e shpërthimit me eksploziv, u shkatërrua plotësisht hoteli i ndërtuar në vitin 1996 dhe gjithashtu u shkaktuan dëmtime të fasadave të objekteve të tjera në afërsi të hotelit. Nga shpërthimi nuk pati asnjë shtetas të dëmtuar. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprime të mëtejshme.”
@NewsIn.Al
