Sunday, June 14, 2026
spot_img
HomeAktualitetiArrestohet në Borsh i shumëkërkuari Moisi Habilaj!

Arrestohet në Borsh i shumëkërkuari Moisi Habilaj!

Moisi Habilaj, i konsideruar nga autoritetet si drejtues i një grupi të strukturuar kriminal të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike, është arrestuar në Borsh.

Sipas burimeve, Habilaj është kapur në ambientet e një lokali në zonën bregdetare, duke i dhënë fund arratisë së tij disavjeçare. Ai ishte shpallur në kërkim pasi ishte larguar nga Italia, ku ndaj tij rëndonte një dënim i formës së prerë.

Emri i Moisi Habilajt u bë i njohur pas operacionit të autoriteteve italiane “Rosa dei Venti”, i zhvilluar në vitin 2017, i cili zbuloi një rrjet të gjerë trafiku droge që vepronte mes Shqipërisë dhe Italisë. Sipas hetimeve, grupi kriminal drejtohej nga Habilaj dhe trafikonte sasi të mëdha kanabisi drejt Siçilisë.

Drejtësia italiane e dënoi përfundimisht Habilajn me **15 vite, 5 muaj e 10 ditë burg** për trafik droge dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale. Në vitin 2021, ai u arratis nga banesa ku mbahej në arrest shtëpie në Itali, duke u shpallur më pas në kërkim ndërkombëtar.

Ndërkohë, edhe në Shqipëri, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e ka dënuar Habilajn për akuzat që lidhen me trafikun e narkotikëve dhe pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal.

Dosja “Habilaj” u kthye në një nga çështjet më të bujshme në vend, pasi përgjimet e autoriteteve italiane përfshinë edhe emrin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, kushëri i Moisi Habilajt. Çështja shkaktoi një debat të gjerë politik dhe gjyqësor në Shqipëri, ndërsa vetë Tahiri ka mohuar çdo përfshirje në aktivitetin kriminal të grupit.

Autoritetet pritet të japin më shumë detaje mbi rrethanat e arrestimit të Habilajt dhe procedurat që do të ndiqen në vijim për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore ndaj tij.(JOQ)

 

@NewsIn.Al

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments