KreuAktualitetiArtisti korçar Mihal Ciko, nga figurat më të shquara të brezit të...

Artisti korçar Mihal Ciko, nga figurat më të shquara të brezit të parë të muzikës dhe artit operistik shqiptar.

krenari korçare

Kujtojmë sot, në 123-vjetorin e lindjes, Artistin e Merituar Mihal Ciko (1902-1986, një nga figurat më të shquara të brezit të parë të muzikës dhe artit operistik shqiptar.

Lindur më 29 gusht 1902 në Korçë, ai u rrit me dashurinë për artin. Familja e tij emigroi herët në Rumani, ku ai u përfshi në shoqërinë artistike “Liria” në Bukuresht si korist, aktor e më pas dirigjent. Studimet i kreu në Konservatorin “Giuseppe Verdi” në Milano, ku u diplomua me rezultate të shkëlqyera si bariton.

Debutimin e parë e pati në vitin 1926 me operat Cavalleria Rusticana dhe Pagliacci. Në vitin 1929 fitoi çmimin e parë në Konkursin Ndërkombëtar të Këngës Popullore në Milano. Deri në vitin 1942 interpretoi me sukses në skena të Italisë, Rumanisë e vendeve të tjera.

Me kthimin në atdhe, ai u bë një nga shtyllat e artit muzikor shqiptar, duke bashkëpunuar me emra si Tefta Tashko, Marie Kraja, Jorgjia Truja, Kristaq Antoniu, Lola Gjoka. Ishte ndër themeluesit e orkestrës së parë simfonike pranë Radio Tiranës, si dhe i pari regjisor i një operete shqiptare, “Agimi” të Kristo Konos.

Mihal Ciko është pedagogu i parë i kantos në Liceun Artistik “Jordan Misja”, si dhe ndër mësuesit e parë në Konservatorin e Tiranës, ku formoi brezin e artë të kantos shqiptare, mes tyre Gaqo Çako dhe Ramiz Kovaçi.

Si regjisor e solist, dha kontribut të vyer në skenën e parë të operës shqiptare, duke interpretuar në Rusalka, Nusja e Shitur, Cavalleria Rusticana e të tjera.

Për gjithë veprimtarinë e tij të pasur artistike e pedagogjike, Mihal Ciko u vlerësua me tituj e çmime, duke mbajtur me krenari titullin “Artist i Merituar”. (Na ishte dikur)

@NewsIn.Al

 

Redaksia NewsIn
Redaksia NewsInhttps://newsin.al
Redaksia NewsIn është profili redaksional i portalit NEWSIN.al për publikimet informative. Shkrimet me autor të identifikuar mbajnë emrin përkatës në përmbajtje. Më shumë: Rreth nesh. Për komunikim dhe saktësime: Kontakt.
Artikuj të ngjashëm

Më të lexuarat

Komente të fundit