Dëshmia e vëllait të Nuredin Dumanit: Çopjat e vranë Talo Çelën
Fitim Dumani, i cili vetëm pak kohë më parë është liruar nga burgu, vëllai i tij nuk ka qenë “ushtar” i asnjë grupi kriminal, por një vrasës i kontraktuar nga grupe të ndryshme kundrejt pagesës.
Në episodin e tretë të MaShqip, gazetari Flamur Vezaj publikon edhe foto ekskluzive të deklaratës personale të Nuredin Dumanit, ku ai tregon të kaluarën e tij, si punëtor ndërtimi, mirëmbajtës shezlongësh, shitës i fruta-perimeve, grabitës dhe më pas vrasës me pagesë.
Nga ana tjetër, Fitim Dumani tregon se vëllai i tij nuk donte të dorëzohej dhe po priste kirurgët nga Tirana për ta operuar, pas pritës që i bëri Suel Çela. Por e gjeti dhe e arrestoi policia përmes telefonit që Çela i kishte dhënë para atentatit. Sipas Fitimit, Nuredini pranoi të bashkëpunojë me drejtësinë pasi u tradhtua nga të gjithë shokët e tij dhe filloi të flasë, duke treguar pazaret, takimet dhe ngjarjet ku kishte marrë pjesë si autor apo bashkëpunëtor.
Në dëshminë e tij, ai ka përfshirë edhe vëllain tjetër, Dashnor Dumanin, i cili sipas Fitimit, ende nuk ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë. Vetë Fitimi tregon për njohjen e tyre me Talo Çelën dhe krimet që kanë kryer bashkë, duke mohuar kategorikisht se kanë qenë “ushtarë” të tij.
Ai sjell raste ku Talo Çela ka kryer vrasje për llogari të tyre, si ekzekutimin e një gruaje në Durrës. Nga ana tjetër, rrëfen arsyet e armiqësisë mes tyre dhe deri te vrasja e Talo Çelës, duke akuzuar vëllezërit Hajdar e Franc Çopja për këtë ngjarje,
“Ata e vranë Talo Çelën duke ngrënë bukë, pasi nuk vrau vëllain tim dhe nga frika se mos fliste nëse kapet nga policia. Eshtë vrarë në Elbasan. E kanë vrarë në restorantin e vellezërve Çopja prapa kokës me tek plumb. Ruheshin që ai të mos fliste se ishte i fundit. Që të humbnin gjurmët e të mos dilnin në skenë. Ata mendonin se vëllai im nuk do flasë. Talon e hoqën nga puna. I dhanë dhuratën e fundit, demek merr hakun e vrite. Ai nuk e mori dhe normalisht e priste fundi (gazetari: pse nuk e vrau Nuredin)” – thotë Fitim Dumani për zhdukjen e Talo Çelës.
Sipas tij, edhe vëllai tjetër ishte vrarë nga Talo Çela pasi përdorej për lëvizjet e tij dhe kishte numrin e tij kryesor.
Fitim Dumani jep detaje edhe për pritën që Suel Çela i bëri vëllait të tij në bashkëpunim me vëllezërit Çopja.
Ai shton gjithashtu se Erjon Alibeaj është një dëshmitar “kot”, pasi sipas tij, SPAK nuk ka pse ta përdorë, sepse ai vetëm ka dëgjuar dhe tregon me thashetheme ngjarjet.
Fitimi flet edhe për vendosjen e tritolit ndaj motrave në Elbasan, duke pretenduar se këtë atentat e ka kryer Suel Çela me njerëzit e tij, të cilët ende lëvizin lirshëm në qytet, ndërsa SPAK, sipas tij nuk po reagon, duke bërë “drejtësi selektive”.
Sipas Fitimit, vëllai i tij përdorte drogë vetëm gjatë atentateve dhe ka punuar për të gjitha grupet kriminale në vend. Ai thotë se SPAK po bën “show” dhe çdo gjë e shpërndan me regji.
Vetë Fitim Dumani ka qenë i dënuar dhe sapo ka dalë nga burgu për trafik prostitucioni dhe për djegien e qelisë në burg. Ai mohon të ketë pasur ndonjë numër telefoni në burg për të folur me vëllain.
Në këtë intervistë ai flet me siguri se vëllai i tij nuk do të tërhiqet dhe do të vazhdojë me dëshmitë, duke sjellë arrestime të shumta në të ardhmen. Ndërsa vetë nuk ka asnjë mesazh apo ngushëllim për familjet e viktimave të Nuredinit, që sipas tij ka kryer edhe shumë vrasje të tjera.
Për Dashnor Dumanin, Fitimi thotë se gjatë kohës që fliste në MaShqip ai e mori disa herë në telefon, por nuk iu përgjigj. Fitimi shton se nuk ka frikë nga askush dhe ndihet më i sigurt nga vetja sesa nga policia e shtetit, të cilën e akuzon si të përfshirë me grupe kriminale.
@NewsIn.Al
