SOT HYNË NË KISHË!
Jo si besimtarë për t’u gjunjëzuar, por si njerëz të armatosur për të goditur.
Unë, Paulin Vilajeti, shërbëtori më i vogël i Krishtit, që me hirin e Tij jam pastor në këtë vend që prej 17 shkurtit 1992, pastori i parë pas natës së gjatë të komunizmit, sot pashë atë që për 34 vjet, çdo mëngjes, i jam lutur Zotit të mos e shoh më kurrë:
Pashë këpucën e rëndë të shtetit mbi barin e njomë të oborrit të Shtëpisë së Atit tim.
Dhe zemra ime e lodhur pëshpëriti:
A ËSHTË KY RIKTHIMI I KOMUNIZMIT TË VITIT 1967?
Atëherë na thanë me krenari të ftohtë: Zoti vdiq. Dhe kishat tona, të lara me lot martirësh, i bënë magazina.
Sot askush nuk guxon të thotë se Zoti vdiq, sepse Zoti nuk vdes. Por oborrin e Tij e quajnë “territor operacional”. Sa fjalë e ftohtë për një vend kaq të ngrohtë!
Bijtë e mi të dashur, të dyja palët,
Dëgjoni bariun tuaj:
Kisha nuk është vazhdim i bulevardit.
Bulevardi është vendi ku njerëzit ndahen dhe rrihen. Kisha është vendi ku njerëzit falen dhe shërohen.
Bulevardi është vendi ku zëri ngrihet për të fituar. Kisha është vendi ku zëri ulet për t’u lutur: “Ati ynë që je në qiell, u shenjtëroftë emri Yt…”
Kur ju e ktheni oborrin e Mëshirës në fushëbetejë, ju nuk lëndoni vetëm një njeri. Ju lëndoni idenë e shenjtë se në këtë botë ka mbetur ende një vend ku njeriu i përgjakur mund të vijë dhe të mos pyetet se nga cila parti vjen.
E dini, bijtë e mi, pse edhe mbreti më mizor i botës së vjetër kishte lënë një ligj? Sepse, nëse i dënuari me vdekje arrinte të prekte me gisht unazën e derës së kishës, xhelati duhej ta ulte shpatën.
Sepse edhe zemra e gurit e mbretit e dinte një të vërtetë që ne e harruam:
Këtu mbaron pushteti i njeriut. Këtu fillon Mëshira e Zotit.
Për hatr të Zotit, mos e harroni Mëshirën e Tij!
Sepse pa Mëshirën e Tij, çdo pushtet, qoftë edhe ai i dalë nga vota, e ka frymën e 1967-ës.
Prandaj, sot unë nuk po mbaj anë. Si mund të mbaj anë, kur të dy janë bijtë e mi? Njëri me uniformë, tjetri me parullë. Të dy kanë nevojë për Krishtin.
Sot unë po bëj detyrën time të vetme prej 34 vjetësh: po ruaj derën hapur për të dy.
Dhe si roje e përulur e kësaj Dere, me lot në sy dhe me dashurinë e Atit qiellor në zemër, ju lutem, ju përgjërohem:
Në emër të gjakut të shenjtë të martirëve që thanë “Jezus” dhe nuk thanë “Parti”,
Në emër të psherëtimave të fshehta të nënave tona që thanë “Ati Ynë” nën jorgan në vitin 1967, që ne sot ta themi me zë të lirë,
Në emër të Krishtit tim të Gjallë, që më gjeti në pluhur dhe më bëri bari në vitin 1992,
DUART LARG KISHËS!
Lëreni Kishën të jetë ajo që Ati e deshi: Nëna me duar të buta që lidh plagët. Mos e detyroni të jetë gjykatësja e heshtur që sheh sesi bijtë e saj lëndojnë njëri-tjetrin në oborrin e saj.
Zoti e bekoftë Shqipërinë! Zoti i bekoftë edhe ata që hynë sot me shkop në Kishë, se nuk dinë se ç’bëjnë.
Me hir dhe me përulësi,
Pastori,
Paulin Vilajeti
@NewsIn.Al
