Thursday, May 16, 2024
spot_img
HomeKulture / Art"Duke pritur barbarët" - Konstantin Kavafi

“Duke pritur barbarët” – Konstantin Kavafi

“Duke pritur barbarët”
Konstantin Kavafi

Gëzuar ditën e poezisë!

Ç’po presim ne të mbledhur te ky shesh?
Barbarët do të mbërrijnë sot këtu.

Përse Senati rri pa punë sot,
Dhe senatorët ligjvënës ç’presin?

Barbarët sot që larg do të arrijnë,
Çfarë ligjesh mund të bëjnë senatorët?
Barbarët ligjet krejt do bëjnë vetë.

Pse perandori ynë është ngritur herët?
Te porta e madhe e qytetit rri,
Sipër mbi fron, solemn dhe me kurorë.

Sepse barbarët sot do mbërrijnë këtu.
Shefin e tyre mbreti ynë do presë,
Madje një pergamenë për të ka gati,
Të mbushur plot me tituj e me lavde.

Përse dy konsujt tanë, tok me pretorët
Togat e kuqe hedhur kanë mbi supe?
Pse mbajnë aq byzylykë me kuarce,
Unaza me smeralde shkëlqimtare?
Në duar pse shkopinj të çmuar mbajnë
Të veshur fund e majë argjend e ar?

Sepse barbarët do të mbërrijnë sot
Dhe nga të tilla gjëra ata mahniten.
Pse s’vijnë oratorët si përherë
Të mbajnë fjalime dhe këshillë të japin?

Sepse barbarët do të vijnë sot
Dhe prej fjalimesh ata shpejt mërziten.

Pse befas ky trazim tejpërtej sheshit,
(Shiko fytyrat si u ngrysën krejt),
Pse rrugë e sheshe u shkretuan befas,
Dhe njerëzit në shtëpi kthejnë plot merak?

Sepse ra nata dhe barbarët s’erdhën
Dhe nga kufijtë dikush mbrrijti e tha:
Se asgjëkund barbarë atje s’ka.
Po vallë tani ç’do bëjmë ne pa barbarët?
1904
Përktheu: Ismail Kadare

Marrë nga faqja në fb e gazetares Daniela Zisi

@NewsIn.Al

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments