E njëjta pyetje, e njëjta përgjigje!
Çfarë do ndodhë me pritjet tona të mëdha për vitin e ri dhe çfarë kuptimi kanë pritshmëritë e vogla për veten dhe shoqërinë ku jetojmë?
– Një shoqëri me pritshmëri të dobëta, e ka gjithmonë të kufizuar “oreksin” e dëshirave… Shqiptarët, nuk presin shumë për këtë vit, i cili konsiderohet si vazhdimësi e një periudhe shumëkrizëshe. Edhe pritshmëritë se çfarë duhet të ofrojë jeta dhe ç’mund të arrihet në jetë, mbeten në thelb vetëm konceptime filozofike të saj!
Pritshmëritë tona duket se po pakësohen dita-ditës, sepse lidhen me dyshimin ndaj institucioneve dhe përfaqësimit të organizuar politik, krizat socio-politike, ndarjet shoqërore, zhgënjimin, humbjet, fantazitë, besimet, imazhin për veten. Me fjalë të tjera, ne përjetojmë zhgënjimin e pritshmërive tona nga sistemi politik, mekanizmi që, sipas kontratës sonë shoqërore, ka ndërmarrë për të na mbrojtur dhe për të siguruar besimin dhe largpamësinë tonë për të ardhmen.
Po, është fakt, nuk është e lehtë për ne të projektojmë veten në të ardhmen. Pyetja është se si këto pritje më të varfra – (të cilat ne do t’i përkufizonim si kulturore dhe sociale) – ndikojnë në zgjedhjet tona dhe në çfarë mase dëshirat dhe zhgënjimet ndikojnë në pritjet tona personale.
Nëse “lumturia” duket se ka pushuar së qëni një emocion njerëzor i përjetuar personalisht dhe është devijuar në një kriter të përcaktuar sasior për vlerësimin e një jete të suksesshme, ose të pasuksesshme, atëherë ne në mënyrë të pashmangshme përjetojmë një konfuzion midis asaj që ne realisht presim dhe asaj që na kanë bërë të presim…
Në të njëjtën kohë, shumë e kanë të vështirë të heqin qafe idenë, se duke pritur që diçka të ndodhë, ata do ta bëjnë atë të ndodhë. Bëhet fjalë për “të menduarit magjik”, të cilën shumë nga ne normalë, apo “rebelë” vazhdojnë ta përjetojnë në versione të ndryshme…
Pritjet midis njerëzve shpesh bazohen në një kontratë shoqërore të pashprehur dhe përfshijnë shpresën se ato do të përmbushen, edhe kur ato janë të pabazuara.
A nuk jemi ne ata që vetë riprodhojmë, me vetëdije apo pa vetëdije, kushtet që na shtypin ose na lartësojnë dhe se si transformohemi vazhdimisht në pasqyra, në të cilat të tjerët shohin gjendjen e tyre shoqërore ose cënueshmërinë e tyre dhe anasjelltas?
Ne kemi pritshmëri të dobëta sepse ndihemi të vegjël, të parëndësishëm, të përkohshëm, të paktë… Ne jemi pritshmëritë tona dhe këto nuk do të jenë “të pranueshme”,për sa kohë do kenë pozitivitet brenda…
Ilir Jano…Korçë janar 2024
@NewsIn.Al

