Një ripostim i dikurshëm me pak ndryshime…
E pashë të ikte…
E pashë të ikte me një pamje të mjeruar
I vetëm fare.
Ja pashë sytë e shuar…
Ikte dhe qante dhe rënkonte
Pa ditur ç’faj kish bërë
Pa ditur ç’të mallkonte…
———
Ikte për larg e përgjithmonë.
Larg prej atdheut që si bir të tij, s’e deshi
Dhe larg prej fatit zemërgur që e përqeshi
Dhe larg prej Zotit që askurr’ nuk ju përgjigj
Dhe larg prej njer’zve të pagdhendur e të ligj.
Ikte kërrusur, sypërdhé.
Një çantë shpine, varur krahut, kish, të vjetër
Brenda, ca tesha, pak ushqim dhe asgjë tjetër.
Por zemra digjej gjoksit zgavër e shkrumbosur
Për nënë mjerën q’e la pragut, të ngurosur.
Ikte mes rrugës së përbaltur.
I perëndimit diell i ftohtë e i praruar
Përpara tij, ia grishte hapin e penguar
Ndërsa nga pas i zgjatej tej, e dhimbjes, hija
Deri tek zemra e atdheut, ah, shtëpia.
Ikte pa kthyer kokën pas dhe pse e dinte
Që kur të rëndin lot të mallit do ta derdhte
Edhe rënkimin thellë shpirtit kur ta shkrehte
Pranë s’do kish, mbase, askënd që ta kuptonte
Pranë s’do gjendej, mbase, kush, që mund ta ndjente…
E pashë të ikte, me një pamje të mjeruar
Ikte dhe qante dhe rënkonte
Pa ditur ç’faj kish bërë
Pa ditur ç’të mallkonte…
Edhe pa ditur që e shihja, i dërrmuar
Thika e dhimbjes, gjoksit tim
Hapte një plagë pa shërim.
A.Balli
@NewsIn.Al

