Friday, May 29, 2026
spot_img
HomeAktualitetiE SHTUNA E SHPIRTËRAVE PARA PENTIKOSTISË SË SHENJTË

E SHTUNA E SHPIRTËRAVE PARA PENTIKOSTISË SË SHENJTË

E SHTUNA E SHPIRTËRAVE PARA PENTIKOSTISË SË SHENJTË

“Ditë Kujtimi, Lutjeje dhe Shprese për Ngjalljen!”

E Shtuna e Shpirtrave para Pentikostisë është një ditë e Shenjtë dhe prekëse e Kishës sonë Orthodhokse. Pak përpara Festës së Madhe të Pentikostisë, gjatë së cilës kremtojmë Zbritjen e Shpirtit të Shenjtë dhe shfaqjen e Kishës në botë, Nëna Kishë e kthen me dashuri vështrimin e saj drejt të gjithë vëllezërve tanë të fjetur në Zotin. Ajo nuk i harron. Nuk i konsideron të humbur. I mban brenda Lutjes së saj, sepse beson se jeta nuk përfundon në varr, por vazhdon në Dritën e Ngjalljes së Krishtit. Prandaj edhe para Pentikostisë, Kisha lutet për të gjithë të fjeturit prej shekujsh, të njohur e të panjohur, të afërm e miq, por edhe për ata që nuk kanë askënd t’i përmendë.

Lutja për të Fjeturit është shprehje dashurie, mirënjohjeje dhe shprese. Është prova më e thellë se lidhjet e dashurisë nuk shpërbëhen nga vdekja. Kur ofrojmë koliva, prosforë, qiri, kur japim emrat për ti kujtuar, kur bëjmë trisagjio dhe përkujtimore, nuk kryejmë thjesht një zakon, por vendosim dashurinë tonë përpara Perëndisë dhe i lutemi të prehë shpirtrat e njerëzve tanë të dashur : “në vend të ndritshëm, në vend të gjelbëruar, në vend prehjeje”.

Veçanërisht sot, kur shumë njerëz dyshojnë, hezitojnë ose i shohin përkujtimoret, trisagjiot dhe të shtunat e shpirtrave si tradita të thjeshta apo zakone shoqërore, Kisha Orthodhokse vjen të na kujtojë se lutja për të fjeturit nuk është një veprim formal, por një Mister i thellë Dashurie !.. Mosbesimi i njeriut lind shpesh nga dhimbja, padija, largimi nga Perëndia ose nga mendimi se gjithçka mbaron me vdekjen. Por Kisha nuk e sheh njeriun vetëm si trup që prishet, por si shpirt të pavdekshëm, të krijuar për Përjetësinë !

Dobësia e madhe e këtyre lutjeve qëndron në mëshirën e Perëndisë. Ne nuk njohim misteret e jetës tjetër, por dimë se Perëndia është Dashuri dhe se lutja e Kishës ka fuqi. Aty ku njeriu i sotëm thotë: “Mbaroi”, Kisha pohon : “Pres ngjalljen e të vdekurve”. Aty ku shoqëria shpesh kufizohet te varri, mermeri, lulet dhe kujdesi i jashtëm, Kisha na thërret të kujdesemi për më të rëndësishmen : shpirtin.

Prandaj të afërmit e të fjeturve nuk duhet të kufizohen vetëm në kujdesin e jashtëm dhe detyrimet shoqërore. Të gjitha këto kanë vendin e tyre, por më e rëndësishmja është përkujdesja shpirtërore : Liturgjia Hyjnore, përmendja e emrave, përkujtimoret, trisagjiot, lëmosha në emrin e tyre, lutja personale, falja dhe dashuria.

Të fjeturit tanë nuk kanë nevojë për shfaqje, por për lutje ; nuk kanë nevojë për lavdi të kësaj bote, por për përmendje në Liturgjinë Hyjnore ; nuk kanë nevojë vetëm për lot, por për lëmoshë, falje dhe dhurata shpirtërore.
Veçanërisht ofrimi i prosforës dhe i kolivave (gruri), ka simbolikë të thellë. Gruri që bie në tokë edhe prishet, por edhe mbin përsëri, na kujton besimin tonë në Ngjalljen e Përjetshme. Ashtu si Krishti u ngjall së vdekurish, edhe ne presim “ngjalljen e të vdekurve dhe jetën e përjetshme që do të vijë”.

E Shtuna e Shpirtrave, pra, nuk është ditë dëshpërimi dhe trishtimi pa shpresë, por ditë lutjeje, besimi dhe shprese. Është thirrje që të kujtojmë me mirënjohje ata që na deshën, na rritën, na mbështetën dhe na lanë trashëgim besimin, familjen, traditën dhe vlerat e jetës.

Në një kohë kur zemra e njeriut ftohet dhe besimi sprovohet, E Shtuna e Shpirtrave bëhet dëshmi e fuqishme se Kisha mbetet nënë e të gjallëve dhe e të fjeturve. Ajo na mëson të mos harrojmë, të mos bëhemi mosmirënjohës, të mos i këpusim lidhjet me ata që na bënë mirë dhe na deshën. Kujtimi i të fjeturve tanë bëhet shkollë përulësie, mirënjohjeje dhe pendimi për ne të gjallët.

Le të afrohemi, pra, me devotshmëri në Tempullin e Shenjtë, duke sjellë emrat e të fjeturve tanë, kolivat (grurin), meshën dhe lutjen e zemrës sonë. Sepse nderimi më i madh për të fjeturit tanë është t’i përmendim përpara Perëndisë dhe të jetojmë ne të gjallët me pendim, besim, dashuri dhe shpresë për Ngjalljen.

Kisha na mëson se dashuria nuk vdes, lutja nuk humbet dhe Perëndia nuk harron askënd.

I përjetshëm qoftê kujtimi i tyre !
Perëndia i prehë pranë Tij, shpirtrat e të gjithë vëllezërve dhe motrave tona të fjetur ! Amin !..

At Spiro Katundi

@NewsIn.Al

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments