Shqipëria mund të shënojë më 14 korrik një tjetër moment të rëndësishëm në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, me mbylljen paraprake të tre kapitujve të parë negociues, nëse shtetet anëtare japin miratimin përfundimtar gjatë ditëve në vijim.
Konfirmimi vjen nga dokumenti zyrtar i qeverisë holandeze, i përgatitur për mbledhjen e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme (GAC) të Bashkimit Evropian më 14 korrik, si edhe nga burime diplomatike evropiane, sipas të cilave procesi po ecën sipas kalendarit të parashikuar.
Sipas dokumentit, Komisioni Evropian ka propozuar mbylljen paraprake të Kapitullit 25 – Shkenca dhe Kërkimi, Kapitullit 26 – Arsimi dhe Kultura dhe Kapitullit 30 – Marrëdhëniet me Jashtë.
Qeveria holandeze bën të ditur se mbështet këtë propozim, duke vlerësuar se Shqipëria ka përmbushur standardet e vendosura për këta kapituj.
“Qeveria ndan analizën se Shqipëria i ka përmbushur këto standarde dhe, për këtë arsye, synon të japë miratimin për mbylljen paraprake të këtyre kapitujve”, thuhet në dokument.
Dokumenti parashikon se, nëse shtetet anëtare japin miratimin e tyre, në kuadër të mbledhjes së Këshillit do të organizohet edhe një Konferencë Ndërqeveritare BE-Shqipëri për të formalizuar këtë hap.
Sipas vlerësimit të Komisionit Evropian, Shqipëria ka përmbushur kriteret që lidhen me sistemin e shkencës dhe kërkimit, kuadrin institucional për arsimin dhe kulturën, si edhe përafrimin e legjislacionit në fushën e marrëdhënieve me jashtë, përfshirë kontrollin e eksporteve dhe mekanizmat për shqyrtimin e investimeve të huaja.
Megjithatë, Holanda thekson se pret që Shqipëria të vijojë progresin në fushën e shtetit të së drejtës.
@NewsIn.Al
