KreuAktualitetiEkonomistët dhe… ekonomia e Shqipërisë

Ekonomistët dhe… ekonomia e Shqipërisë

Ka një shprehje që thotë se nëse fut në një dhomë tre ekonomistë për të diskutuar një çështje të caktuar, do të dëgjosh tre mendime të ndryshme. Unë them që edhe nëse fut pesë, rezultati do të jetë i njëjtë.

Thjesht, sa më shumë të rritet numri, aq më shumë rriten dhe gjasat për një lloj marrëveshjeje të pjesshme, sepse në ekonomi nuk ka të zezë apo të bardhë, por veprim dhe kundërveprim. Prandaj gjithçka lëviz në një zonë gri zgjedhjesh dhe zbatimi zgjidhjesh me synimin për të arritur rezultatin më të mirë të mundshëm.

Në një vend – e kam fjalën për vendin tonë – që ka një Prodhim të Brendshëm Bruto prej 26,1 miliardë, me një rritje të parashikuar prej 3,3%, me një PBB për frymë ndër më të ulëtat në Evropë, me një bilanc tregtar deficit që nuk do të bëhet kurrë suficitar, me një borxh publik që është 58% e PBB-së – ndoshta i vetmi element pozitiv, por njëkohësisht artificial – dhe me një normë inflacioni që shpresojmë ose, më mirë të themi, vlerësojmë se do të ulet në 3% (në shënjestër)në vitin 2025, e me një kurs këmbimi euro-lek krejt të pashpjegueshëm si strategji, ne pohojmë se kemi mirëqenie! Çfarë është euroja përballë fuqisë së madhe ndërkombëtare të lekut?

Çfarë është inflacioni përballë rritjeve të vazhdueshme të pagave, dëmshpërblimeve dhe shpenzimeve të buxhetit të shtetit? Asnjë problem! Do të rrisim normat e interesit, por nëse ulet inflacioni, do t’i ulim sërish.
Një lloj ashensori, pra! Sigurisht, nuk do të ndalem te premtimet elektorale, veçanërisht të opozitës, që janë tërësisht boshe, sepse në atë rast do të duhej të “vetëvritej” vendi. Por do të ndalem te oligopolet që, fatkeqësisht, dominojnë ekonominë në shumë sektorë të saj, te paaftësia e vendit për të rritur eksportet e produkteve bujqësore – pavarësisht planeve madhështore prej 1 miliardësh – dhe te investimet e huaja direkte, që përkthehen kryesisht në hapje biznesesh pa asnjë fokus në infrastrukturën që vendi ka nevojë.

Për shembull, a ka pyetur ndokush eksportuesit që në vitin 2023 kishin nënshkruar kontrata bazuar në kursin mesatar të këmbimit për atë vit dhe në 2024 patën humbje nga të mesme në të mëdha? Pyesni prodhuesit se çfarë çmimesh marrin nga qendrat private të grumbullimit të produkteve bujqësore dhe për praktikat spekulative të këtyre të fundit!

Kostoja e jetesës, veçanërisht në kryeqytet, është rritur mbi 50% vitet e fundit, ndërsa uljet e çmimeve në tregjet ndërkombëtare nuk reflektohen te konsumatori, por përfitojnë bizneset.

Personalisht, shoh një vend ku lulëzojnë evazioni fiskal, pastrimi i parave dhe trafikimi i paligjshëm i çdo gjëje. Një vend që entuziazmohet me numrin e pasagjerëve që mbërrijnë në aeroport – se vetëm një aeroport kemi, të mos gënjejmë – dhe me rritjen e turizmit, ndërkohë që vendi po bëhet çdo ditë e më i shtrenjtë, me shërbim të nivelit të ulët dhe staf të paedukuar.

E kam fjalën për turizmin, natyrisht, dhe nuk e vë në dyshim rritjen e madhe të numrit të vizitorëve, edhe pse shpenzimi mesatar i turistit mbetet i ulët – dhe nuk e kam fjalën për ata që qëndrojnë në hotele luksoze. Ajo që është më ironike në gjithë këtë është se banka qendrore rekomandon marrjen e kredive në lekë – që është monedha e vendit – për të shmangur rrezikun nga kursi i këmbimit. Por në të njëjtën kohë, me politikat e kursit të këmbimit – që, natyrisht, e përcaktuar në mënyrë artificiale, pasi leku nuk është i tregëtueshëm askund – ndëshkon ata që marrin kredi në monedhën vendase.

Në një vend ku shumica e depozitave janë në euron e dobët! Para disa vitesh, unë propozova të ndiqnim shembullin e Kosovës dhe Malit të Zi dhe të adoptonim euron. Do të kishim zgjidhur shumë probleme, sidomos atë të spekulimeve financiare që ekzistojnë në të gjithë sektorët e ekonomisë – madje edhe në bizneset e vogla.

Duke u përpjekur të shoh panoramën e përgjithshme, e dini çfarë shoh? Një kryeministër vizionar me një vizion dhe program të shkëlqyer, por një qeveri ku gjysma lufton kundër gjysmës tjetër për interesa dhe përfitime personale. Një injorancë që mbulohet me arrogancë për të mbijetuar, së bashku me korrupsionin. Fatkeqësisht, kjo shtrihet edhe në institucionet shtetërore, natyrisht me imunitet të plotë – të paktën deri tani. E në gjithë këtë situatë, njerëzit e varfër vuajnë ose largohen nga vendi për të jetuar në shtete që respektojnë njeriun, qytetarin, me sisteme më të mira të mirëqenies dhe shëndetësisë. Nuk them që nuk ka përmirësime këtu – madje të konsiderueshme – por të duhet të paguash ryshfet te mjeku i familjes që të të përshkruajë një ilaç falas nëse je i moshuar?

Kjo është e rëndë, ashtu siç është e rëndë frika e qytetarëve që nuk guxojnë të denoncojnë. Jetojmë në një vend me një mirëqenie relative të numrave, por jo të qytetarëve, sidomos të punonjësve me paga të ulëta dhe pensionistëve. Në një vend që nuk respekton nënat dhe baballarët, por vetëm pushtetin dhe paranë.

Dhe kush i ka të dyja, është edhe më i fuqishëm. Nisa të shkruaj një artikull ekonomik, por duhet ta dini se ekonomia, shoqëria dhe politika ecin bashkë, dhe ç’do vendim politik ka një ndikim ekonomik dhe shoqëror – dhe anasjelltas. Do të ndalem në një fjali: Dikush dikur tha, “Shqiptarët kanë para!” Ky dikush mund të më shpjegojë edhe nga vijnë këto para? A mund të më shpjegojë dikush se si një person, që punon si politikan dhe ka një pagë rreth 1.000 euro – e cila është rritur tani – nga një apo asnjë shtëpi, brenda pak vitesh bëhet me disa shtëpi, vila e prona të tjera? Do ta quaj “mrekullinë ekonomike të Shqipërisë”! E trishtë, por përfundimet i nxirrni vetë.

Les Miserables

@NewsIn.Al

Artikuj të ngjashëm

Më të lexuarat

Komente të fundit