Thursday, August 6, 2026
spot_img
HomeAktualitetiEkonomisti dhe politika…(Aktualitet)

Ekonomisti dhe politika…(Aktualitet)

Një herë një mik i imi, gazetar, më tha se ka studiuar ekonomi, por i pëlqen më shumë të bëjë reportazhe politike.

Kjo është krejtësisht normale sepse ekonomia dhe politika janë elemente të ndërlidhura.

Ajo që është interesante është se kur duam të ikim nga ekonomia, e kalojmë te politika, sepse bëhet fjalë për vendime politike. Po ashtu dhe anasjelltas, natyrisht.

Ekzistenca e njërit parashikon ekzistencën e tjetrit dhe kjo ka ndodhur që kur janë krijuar shoqëritë.

Ajo që nuk e dallojmë dhe nuk kuptojmë është bashkëjetesa kaotike e dy të parëve.

Nuk do të ishte e vështirë, do të  mjaftonte të shikonim një buxhet shtetëror. Të gjitha publikohen sepse është çështje transparence dhe e drejtë kushtetuese e qytetarëve. Nëse kuptoni diçka, më thoni.

Natyrisht, e kam fjalën për ata që nuk janë të njohur me financat publike. Ah, ato shpenzime dhe kodet se si kalojnë majtas dhe djathtas, por në fund gjithçka është e balancuar. Kohët e fundit mungojnë disa milionë nga investime “të këqija”, për të mos thënë diçka tjetër, por në fund gjithçka është e balancuar! Lëre që kur shpallen, mund të mendosh se jeton në një tjetër vend. Por, që të mos jem i pa drejtë, duhet të deklaroj se vendi ka hyrë në një rrugë europiane dhe ka bërë shumë përparim.

Ekonomia dhe turizmi. Askush nuk mund të mohojë zhvillimin e shpejtë të tij, megjithëse ka një infrastrukturë të papërkryer. Jemi në fazën e zhvillimit. Cilësia do të vijë kur turizmi të jetë pjekur. Evazioni fiskal është tepër i madh, gjithmonë krahasimisht. Aq shumë apartamente të tipit Airbnb nuk janë të regjistruara si biznese. Një tjetër çështje ekonomike që nuk është trajtuar deri tani. Prova fiskale ose dhe faturimi, janë diçka si një virus në Shqipëri. Askush nuk do që ti “ngjitet”.

Nëse lexoni një raport mujor ose tremujor të Bankës Qendrore dhe arrini të kuptoni, domethënë të shtjelloni të dhënat e thëna, nga mënyra se si shkruhen dhe prezantohen, atëherë jeni me shumë njohuri, por sigurisht jo bankier. E dini pse? Sepse i shkruajnë që të mos i kuptoni. Aq thjeshtë.

Për disa ditë më parë lexova se në vitin 2024, Banka Qendrore bleu, nëse i mbaj mend numrat, 900 milion euro. Çfarë do të thotë ky numër për ju?

Praktikisht asgjë, nëse nuk e dini pse dhe politikat e Bankës Qendrore dhe rregullat dhe politikat monetare, etj, etj.

Shteti do të ofrojë garanci sovrane për investime në disa sektore të ekonomisë. Çfarë do të thotë kjo për ju? E kuptoni? Dhe megjithatë ka shumë rëndësi, sepse në financat publike dhe buxhetin do të konsiderohet si një kredi e mundshme, për të mos hyrë në detaje më shumë, që do të thotë se ne si qytetarë shqiptarë po e marrim me një emër tjetër. Sigurisht, nëse kjo do të krijojë zhvillim, atëherë është në rregull.

Kanceri më i madh, ose më mirë një nga më të mëdhenjtë, që i përket gjithashtu kategorisë së lidhur me korrupsionin, është evazioni fiskal. Pse nuk e zgjeroni bazën tatimore për të mbledhur më shumë taksa dhe për të ulur “taksa të padrejta” të tërthorta? Le të taksojmë makinat duke i lidhur ato me të ardhurat ose së paku me shpenzimet.

Një shembull tjetër. Nëse dikush shkon në një dyqan të vogël ose të mesëm për të blerë një gotë ujë, do të paguajë 50 lekë. Brenda 50 lekëve përfshihet dhe TVSH-ja. Konsumatori e paguan atë, por biznesi, shumë i vogël, nuk do ta paguajë kurrë atë tek shteti.

Nëse do të kishit mundësinë të kontrollonit bankat, do të vërenit se bizneset kanë tre bilance financiare. Një për tatimet, një për bankën dhe një për biznesmenin. Të gjithë e dinë këtë dhe natyrisht të gjithë e shkelin ligjin.

Dhe më në fund, për të mos ju lodhur më shumë! Gjatë periudhës së Covid-it, si ekonomist që e respekton veten, pata propozuar që shteti, që ishte në një situatë emergjence, të forconte prodhimin e produkteve për të pasur produkte të lira në treg dhe të mos forconte konsumimin, që do të çonte në shtypje inflacionare. Naiv? Jo sigurisht! Ose ndoshta…

Duke biseduar me një mik shumë më të madh dhe natyrisht më me eksperiencë, ai më tha se bëja gabim. Jo sepse nuk ishte ekonomikisht e drejtë, por sepse nuk ishte politikisht e drejtë.

Numri i konsumatorëve si votues është shumë më i madh se numri i votuesve nga ana e furnizuesve. I turpëruar, e mbylka gojën dhe pranova këtë varjant, sepse,fatkeqësisht, kishte të drejtë. Kështu është politika.

Mbas të gjitha këtyre, përfundova duke u pajtuar me mikun tim gazetar dhe shkruaj tema me dimensione dhe kuptim politik! Vetëm studentëve të mi u them të vërtetën ekonomike.

Les Miserables

@NewsIn.Al

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments