Veç disa “bamirësi” në fund të vitit nuk mjaftojnë…Ky spektakël amator është shumë i shëmtuar.
Çdo fundvit nuk ka si mos të të bëjë për të qeshur e për të qarë njëkohësisht teatri i shëmtuar që bëhet nga politikanët shqiptarë për familjet në nevojë me pako ushqimore dhe dhuratash.
Dhjetra postime e lajme, dhjetra foto të kapura nga 10 kënde të ndryshme të stilit “pa mendje” dhe të kuruara në maksimum pushtojnë ekranet dhe rrjetet sociale. Nuk kanë fund as dedikimet dhe falenderimet me doza hipokrizie a thua se në Tokë kanë zbritur Zotat dhe këto pako do zgjidhin gjithçka për këto familje.
Nuk jam aspak kundër bamirësisë, është një akt i jashtëzakonshëm që të mbush shpirtin kur shikon efektin, buzëqeshjet e njerëzve në nevojë ndonëse nuk zgjatin më shumë se 3-4 minuta. Mirëpo në Shqipëri bamirësia në vend që të jetë një tipar i rëndësishëm i shoqërisë shqiptare, nuk është asgjë tjetër veçse një show që serviret dendur gjatë festave.
Piramida e varfërisë vetëm zgjerohet në këtë vend. Përgjegjësit kryesorë mbeten ata që zgjidhen për të përfaqësuar dhe zgjidhur hallet e popullit dhe që gjithmonë përfaqësojnë gjithçka përveç popullit vetë. Flasin pafund për varfërinë, për familjet në nevojë, por nuk ofrojnë programe apo alternativa konkrete për ta reduktuar, veç disa “bamirësi” në fund të vitit dhe kaq.
Ky spektakël amator është shumë i shëmtuar.
Emili Bibolli
@NewsIn.Ak

