Tuesday, January 13, 2026
spot_img
HomeAktualiteti“Firmosim ne si delet, i marrin lekët ata”/ Përgjimi që fundos Jonaid...

“Firmosim ne si delet, i marrin lekët ata”/ Përgjimi që fundos Jonaid Myzyrin…

“Firmosim ne si delet, i marrin lekët ata”/ Përgjimi që fundos Jonaid Myzyrin

Një përgjim i zbardhur nga SPAK ka vënë në vështirësi serioze kreun e pezulluar të Komisionit të Prokurimit Publik (KPP), Jonaid Myzyri, i cili akuzohet për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera. Në qendër të hetimit është një kontratë e dyshimtë me vlerë 2.3 milionë euro për mirëmbajtjen e rrugës Rrëshen (Ura e Fanit) – Shpal – Ura e Repsit, me gjatësi 58.7 kilometra.

Në dosjen hetimore, një rol kyç në zbardhjen e aferës ka luajtur punonjësja e KPP-së, Lindita Skeja, e cila në një bisedë të përgjuar nga Prokuroria e Posaçme flet hapur për presionin dhe manipulimin nga ana e Myzyrit.

“Vajta i shërbeva si qeni. Me sy mbyll… e du edhe pikë. Firmosim ne, të gjithë si delet. Ime veme ku të na thërrasin. Rresht. Firmën ne, lekët ata”, dëgjohet të thotë Skeja në një bisedë telefonike, e regjistruar nga SPAK.

Skeja ankohet se kishte firmosur dokumentacionin për tenderin, duke vepruar sipas urdhrit të titullarit të institucionit, ndërkohë që ai vetë përfitonte dhe mbetej jashtë çdo përgjegjësie. “Ai na mbajti afër… krijoi idenë që ishim miqtë e tij. Unë vajta dhe i shërbeva si qeni”, thotë ajo në një tjetër fragment të përgjimit.

Prokuroria e Posaçme thekson në kërkesën drejtuar GJKKO-së se nga përgjimet dalin dyshime të arsyeshme se Myzyri ka ndikuar drejtpërdrejt në vendimmarrjen e KPP-së, duke diktuar rezultatin e ankesave në disa procedura tenderimi, përfshirë edhe këtë me fond limit 219.8 milionë lekë pa TVSH.

Në kërkesën për vendosjen e masës së sigurimit ndaj Myzyrit, prokurori Elvin Gogaj argumenton se ekziston rreziku i cenimit të provave, arratisjes së personit nën hetim, si dhe kryerjes së veprave të tjera penale.

Gjithashtu, SPAK paralajmëron se Myzyri mund të ndërhyjë tek persona ende të pa marrë në pyetje dhe që mund të kenë dijeni për veprimet e paligjshme në prokurime.

Hetimet nuk ndalen vetëm te ky tender: SPAK ka zgjeruar verifikimet për të gjitha procedurat e prokurimit të zhvilluara gjatë viteve 2020–2023, periudhë gjatë së cilës Myzyri drejtonte KPP-në. Dyshohet se një numër i madh tenderësh janë zhvilluar pa garë reale, me pjesëmarrje të vetëm një kompanie apo me skualifikime të padrejta të operatorëve konkurrues.

Jonaid Myzyri u emërua në krye të KPP-së në vitin 2020, me propozim të Këshillit të Ministrave dhe me votat e mazhorancës në Kuvend. Sot, ai ndodhet nën masën e detyrimit për paraqitje, ndërsa vendi pret përgjigje se kush do mbajë përgjegjësi për milionat që janë shpërndarë me firmën e “deleve”.

@NewsIn.Al

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments