KreuKulturë / ArtGJËMA E GJITHKUJT (fragment tregimi) nga Artur Balli

GJËMA E GJITHKUJT (fragment tregimi) nga Artur Balli

GJËMA E GJITHKUJT
(fragment tregimi) nga Artur Balli

Në kafene ishin ndërruar pronarët, kamerierët, pastruesja, arredimi dhe gjithçka. Pra, s’kish mbetur askush dhe asgjë që ta njihte, që ta kujtonte përveç një kitare të vjetër, të varur mbi njërin nga muret e lokalit, së cilës i kishte mbetur vetëm një tel. Flitej se pronari i vjetër e kishte shitur kafenenë me një kusht të çuditshëm: çfarëdo që të bënte pronari i ri me lokalin, atë kitarë duhej ta mbante të varur në mur.
Ishte njëra nga kitarat e tij, që ai e mbante vetëm në kafene. U ngrit nga karrikja mundimshëm dhe e mori. E vuri mbi gjunjë dhe mbështeti trupin mbi të, a thua se ai njeri nuk dinte të qëndronte në tavolinë pa u mbështetur tek kitara. Çuditërisht, trupi e mbështolli instrumentin në të tillë mënyrë, të natyrshme, sikur ajo të kish qenë një copë e thyer nga trupi i tij dhe që u vendos në vendin e vet. Filloi ta prekte e ta lëmonte me një mall të djegur dhe mjekra ju drodh. Edhe buzët ju drodhën. I vendosi gishtat e tij të ngurtësuar mbi qafën e instrumentit si për të krijuar akorde, edhe pse kitara nuk i kishte telat. Por ai e kishte në kokë muzikën, i kishte nëpër gishta akordet.
Befas, ashtu si në jerm ju bë sikur një ndriçim kozmik hyri nga jashtë dhe e mbyti në dritë gjithçka. Pastaj, brenda asaj mase të paformë drite, si në një ekran të stërmadh filluan të ravijëzohen imazhe të gjalla, ndër më të bukurat, prej jetës së tij të dikurshme. Nuk dihet se sa zgjati kjo gjendje irreale, disa sekonda apo minuta apo orë të tëra. Koha në jerm dhe në ëndërr është e pamatshme. Pastaj u bë sërish muzg dhe vështrimi i tij u mbyll në një hapësirë të vogël, sa tavolina e tij.
Pranë gotës së rakisë, mbi një tavëll duhani të madhe plot bishta cigaresh, digjej cigarja e fundit duke lëshuar një pështjellë tymi të kaltër që ja mjegullonte pamjen përtej tavolinës së tij. Por nuk ishte tymi i duhanit që ja mjegullonte pamjen. Mjegulla gjendej brenda vetë vështrimit të tij të përlotur që arrinte deri aty ku mund të shkonte fryma e tij, pra, deri tek cigarja e ndezur. E gjithë bota përtej, ishte e zbehur, pa konture, pa formë, pa kuptim.
Përhumbur, me dorën që i dridhej, pinte kafen e hidhur e të ftohur. Një lot i rëndë që nuk mundi të qëndrojë, më, varur tek cepi i syrit, u këput heshtur, dëshpërimisht e u thërrmua mbi buzën e filxhanit të kafesë. Nuk ishte lot i shkaktuar nga tymi i duhanit. Jo! Ishte lot i mallit për jetën që po e linte. O Zot, e padëgjuar! Ai njeri pinte kafen e mortit të vet! I vetëm. Pa pasur njeri me të cilin ta trokasë gotën e rakisë, ai, që i kish pasur të panumërt miqtë dhe që kurrë nuk kish qenë vetëm. Të tjerë lotë të nxehtë që e kishin gjetur, më në fund, një shteg të lirë u rrokullisën poshtë faqeve të rreshkura. Nuk ishin aspak lotë të frikës nga Vdekja, të cilën ai e ndjente tek sillej rrotull nëpër kafene dhe e përgjonte fshehtas. Jo! Ato ishin lotë të rëndë malli. E kish marrë malli aq fort për veten e tij. Sepse ai nuk ishte, më, vetja e tij. Ai ish veç hija e vetes së tij. Vetja e tij ishte ai burri i ri, i fuqishëm e i bukur, kitarristi e këngëtari që e njihte dhe e donte gjithë qyteti.
Për një moment buzëqeshi hidhur duke menduar se, kur ishte i ri, çdo dashurie i betohej për besnikëri, por nuk shkonte tepër dhe mjalti i mëkatit për një dashuri të re e gjunjëzonte. Prej kohësh tani, do të kish dashur fort të tradhëtonte dikë, qoftë edhe veten e tij, vetëm e vetëm për të treguar se ishte akoma ai, i dikurshmi, por nuk mundej më. Nuk kishte, më, fuqi të tradhëtojë asgjë dhe askënd.
Për herë të parë i shkoi në mendje se një njeri si ai duhej të vdiste patjeter i ri, se ishte mallkim të jetoje tepër, aq sa për të parë se si shformohej e rrënohej, trupi, forca, dëshirat… ai trupi i tij i përsosur, forcat e tij të pashterrshme, dëshirat e tij të pafund dhe të panginjura të së shkuarës.
Ju kujtua, befas, një poezi e shkruar nga një miku i tij, “Dita e Pilivesës” titullohej, që ai, dikur, e kishte kthyer në këngë. Poezia përcillte fabulën e paradoksit të jetës së një pilivese, së cilës, Zoti, i kishte falur bujarisht një botë të tërë për ta gëzuar, me të gjithë bukuritë dhe magjitë e natyrës por, ah, vetëm një ditë jetë për të jetuar. Mbylli sytë dhe këndoi nën zë refrenin e këngës:

I fali zoti pilivesës nazike
Veç një ditë jetë, për të jetuar.
Ç’ironi tragjike!
Ç’dhimbje e patreguar!

Pastaj, piu gotën e rakisë, me fund, duke u përpjekur një çast të bëjë bromp me sytë e fshehur të vdekjes dhe, fuqishterrur, lëshoi kokën mbi kitarrë ndërsa shpirti i doli nëpërmjet lotëve që vazhduan të rrjedhin prej syve gjysmë të mbyllur.
Ai burrë i mjerë ish zvarritur prej shtratit të tij të lëngimit deri aty, në kafenenë ku kish djegur magjishëm qindra net të lumtura të jetës së tij fantastike, për të luajtur muzikën e fundit, muzikën e gjithë jetës së tij, muzikën që kish shkruar e kënduar për të gjitha dashuritë, dhimbjet, trishtimet e vetmitë. I kish humbur të afërmit dhe të dashurit një nga një dhe të gjithë i kishte qarë me lot dhe me kitarë. U kish kënduar këngën e mallit, këngën e dhimbjes së të gjallit.

Kish vdekur me kitarën përqafuar. Nën kapakun e syrit dritëshuar, të pambyllur plotësisht ndriste një lot i fundit që s’kish dashur ta braktiste syrin. Në zgavrën e kitarës vibronte akoma, i mekur, një tingull i fundit, mpiksur e varur mbi të vetmin tel të saj, sikur kish dashur që dhe ai të vdiste aty, brenda kitarës dhe të mos tretej e humbte në ajër…

Askujt nuk i shkoi ndër mend se ai njeri i palëvizur, i pafrymë, ishte gjëma e gjithkujt, ishte gjëma e jetës që këputej, ishte gjëma e ditëve të numëruara kundrejt dëshirës së pafund për të jetuar.

Si një çudi e pangjarë, e varrosën ashtu siç kish vdekur, me kitarën përqafuar.

A. Balli

@NewsIn.Al

Artikuj të ngjashëm

Më të lexuarat

Komente të fundit