Ilir Kumbaro, vrasësi potencial i Remzi Hoxhës përdorte identitetin e vjedhur Shaqa Shatri
Shaqa Shatri, ideniteti i të cilit është përdorur për vite me radhë nga ish-agjenti i shërbimeve sekrete, Ilir Kumbaro, i akuzuar për zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha, është gjetur në Kosovë nga gazetari i njohur, Artan Hoxha, që drejton emisionin “Xhungël”. Ai është gjetur në fshatin Kushnin, rreth 30 km në dalje të qytetit të Prizrenit dhe ka rrëfyer vjedhjen e identitetit.
“I kam kaluar 66 vjeç. Kam 6 vajza dhe 1 djalë. Profesioni im është furrtar ose bukëpjekës. Në 1992 filluan sanksionet ndaj ish Jugosllavisë, pas nisjes së konfliktit në Bosnje, dhe nuk pata mundësi të përsëritja kontratën për tu kthyer sërish në vendin e punës. Duke mos pasur rrugë tjetër të siguroj të ardhurat, vendosa të shkoj ilegalisht në Zvicër, duke kaluar nga Shqipëria. Gjatë qëndrimit në Tiranë, jam përpjekur të takoj disa njerëz të cilët kundrejt pagesës do të më kalonin në Itali. Një ditë hipa në autobusin urban dhe ishte plot me njerëz. Në autobus njerëzit shtyheshin me njëri- tjetrin dhe mua mu desh të mbahem në një hekur sipër kokës për të mos u rrëzuar. Për shkak të rrëmujës nuk e kuptova se po më vidhnin. Kur zbrita nga autobusi pranë Zogut të Zi, futa dorën në xhep dhe nuk gjeta as portofolin dhe as dokumentat. M’i kishin marrë të gjitha, pasaportën, letërnjoftimin dhe të gjitha paratë që kisha me vete.”, është rrëfyer Shatri për gazetarin Hoxha, duke thënë e nuk kishte ditur asgjë që identitetin e tij e përdorte Kumbaro, dhe e kishte mësuar nga TV dhe gazetarët. “Askush nuk ka ardhur për të më pyetur, as policia as ndërkombëtarët, vetëm gazetarët”.
Shaqa Shatri i vërtetë tregoi dokumentin e tij të identitetit të lëshuar së fundi nga Republika e Kosovës ku janë të njëjtat gjeneralitete me ato që Kumbaro pretendon para gjykatës angleze për të penguar ekstradimin drejt Tiranës.
“Autoritetet britanike kishin marrë informacion se Ilir Kumbaro jetonte në Angli. Në një moment atyre u del në një sistem se ai ishte regjistruar në një mjek familje ku kishte dhënë adresë”, tregon Muhamed Veliu, gazetar.
Skuadra e ekstradimeve mbërrin në banesën e Kumbaros. Ai prezantohet si Shaqa Shatri, një shtetas kosovar nga Prizreni. Ai tregon edhe mjetin e identifikimit, që në fakt i ishte vjedhur Shaqa Shatrit të vërtetë në Tiranë në vitin 1995.
“Pas shumë krahasimesh, fotografish, një ekspert arriti në konkluzionin se personi që ishte përballë gjykatës ishte Ilir Kumbaro. Djali i tij kalon me shpejtësi përpara këmbëve të mija, ul xhamin dhe më thotë: “ti nuk ke për ta patur të gjatë”, tregon Muhamed Veliu, gazetar.
Kumbaro vijoi betejën duke lëvizur gurët edhe në Shqipëri. Para gjykatës britanike, ai shfaqej i qetë dhe tregohej mjaft i kujdesshëm me ato që rrëfente.
“Kumbaro kuptonte shumë mirë anglisht por gjatë gjithë procesit kishte një përkthyese, dhe kjo ndodhte për të fituar kohë, pasi dëgjonte gjykatësin anglisht e kuptonte dhe koha që përdorte përkthyesi për ta përkthyer ai mendonte përgjigjen”, tregon gazetari Veliu.
“Në një rast pati pengesë nga ministra jonë e drejtësisë që ekstradimi të kryhej në kohë”, tregon gazetari Hoxha.
“Gjatë procesit gjykata vendosi që urdhër arresti mbi të cilin kërkonte Shqipëria ta ekstradonte Kumbaron ishte i vjetëruar, e kështu procesi ndalon dhe Kumabro pas 13 muajsh në burg fitoi larine”, tregon gazetari Veliu.
Në ngarkim të tij del një tjetër urdhër-arrest në vitin 2010. Këtë herë, Kumbaro i shpëton qelisë duke përdorur si argument vonesat e drejtësisë shqiptare në procesin e parë.
“Avokati tha se për faj të autoriteteve shqiptare klienti i tij qëndroi 13 muaj padrejtësisht në burg e i argumentoi gjykatës që arresti mund të ishte i gabuar”, tregon gazetari Veliu.
Kumbaro vijonte manovrat për anulimin e masës së sigurisë edhe në Shqipëri. Gjykata e Lartë, me një votim të ngushtë 7 me 6 vendos lënien në fuqi të masës së arrestit me burg. Bie në sy fakti se 6 gjyqtarët që ishin pro lirimit të Kumbaros, sot nuk janë pjesë e drejtësisë pasi janë eleminuar nga procesi i Vettingut.
“Avokati një ditë para seancën në të cilën do jepej vendimi ka pasur bisedë telefonike ku i ka komunikuar se ishte pashpresë e të bëhej gati të ekstradohej. Në dhjetor 2011 kur ishte seanca e fundit dhe gjykata do jepte vendimin, mëngjesin e asaj dite ai zhduket”, tregon gazetari Veliu.
Kanë kaluar 8 vite nga ajo ditë dhe për Kumbaron nuk ka pasur asnjë gjurmë. Në dy raste, ai udhëtoi drejt Kinës me identitetin Shaqa Shatri, por kjo ka ndodhur para se të arratisej në vitin 2011. Top Story ka marrë dëshminë e një shqiptari me banim në Britani, me inicialet Xh.S., i cili konfirmon se ka parë Ilir Kumbaron në muajin korrik të këtij viti, me gruan dhe djalin në periferi të Londrës.
“Ky person, për shkak të njohurive që kishte, pozicioneve në SHIK mund të shërbente edhe për shërbimet e huaja, se për kë nuk e di ekzaktësisht, edhe kur u zbulua dhe arriti të zhdukej kjo do thotë që nuk ishte shqiptar i zakonshëm”, tregon gazetari Artan Hoxha.
@NewsIn.Al