KreuAktualitetiIng.Ardit Konomi- "Dje u përmbyll faza e parë, që përfshin përpilimin e...

Ing.Ardit Konomi- “Dje u përmbyll faza e parë, që përfshin përpilimin e një harte të detajuar të burimeve ujore, veprave ujëmbajtëse dhe kapaciteteve të tyre…”

Arsyeja e parë e ekzistencës së jetës, shëndetit të mjedisit dhe mundësisë për ekonomi e zhvillim të qëndrueshëm, është UJI.

E kemi gjetur këtu do ta lemë këtu, i’a dimë vlerën por kurrë s’e peshojmë dhe rrallë na kujtohet se është më i rëndësishëm se nafta se gruri se turizmi se halli i radhës dhe se një ditë mund të na pakësohet siç po ndodh apo mund të mos e kemi.

Shtatë muaj më parë filluam zbatimin e një iniciative e cila synon menaxhimin e integruar të ujërave në zonën e Korçës dhe ku jemi përpjekur të bëjmë bashkë gjithë burimet e mundshme të informacionit me njohuritë, eksperiencat dhe çdo kontribut profesional.

Dje u përmbyll faza e parë, që përfshin përpilimin e një harte të detajuar të burimeve ujore, veprave ujëmbajtëse dhe kapaciteteve të tyre si edhe arterieve kryesore të qarkullimit të ujërave.
Bashkë me to dhe si një përbërës shumë i rëndësishëm i këtij projekti, skanimi sonar që aplikuam tek të gjithë rezervuarët, paraprakisht tregon se kapaciteti aktual ujëmbajtës (dhe rrjedhimisht edhe kapaciteti ujitës) ka rënë me afër 34% në krahasim me kapacitetin fillestar të tyre.

Gjendja e sotme është shqetësuese dhe përkon me parashikimet e skenarëve me problematikë të lartë që gjetëm në një sërë studimesh, përfshirë edhe ato të ISPVKU (Instituti i Studimit dhe Projektimit të Veprave Kulluese dhe Ujitëse), një organizëm i cili ndonëse nuk ekziston më që prej shumë vitesh, ka lënë pas një pasuri të paçmueshme intelektuale.

E shpjeguar thjesht; rritja e temperaturave mesatare të dimrit, përqëndrimi i reshjeve, ulja e sasisë së tyre dhe zvogëlimi i mbulesës pyjore, shkaktojnë shkrirjen e shpejtë të borës e cila shndërrohet kryesisht në ujëra sipërfaqësore që rrjedhin shpejt jashtë basenit tonë duke arritur basenet më të mëdha e në fund detin. Kësisoj shkaktojnë më shumë erozion në sipërfaqe, ndërkohë që akuiferët që mbajnë rezervat nëntokësore nuk kanë kohën e nevojshme që të mbushen. Për këtë arsye burimet ujore pakësohen deri në shterrim gjatë verës dhe vjeshtës së parë kur na nevojiten më shumë se kurrë.

Ndonëse shkaku kryesor për këtë është ndryshimi i klimës dhe ky është jashtë kontrollit tonë, ka shumë nga ana tjetër që mund të bëhet lokalisht për ta rregulluar këtë cikël.

Faza e dytë ku sapo hymë, konsiston pikërisht në hartimin e një projekti për rritjen e aftësisë dhe kapaciteteve mbajtëse të ujërave në rajon nëpërmjet tre mënyrave kryesore tashmë të identifikuara si të përshtatshme dhe të aplikueshme në kushtet tona:
– nëpërmjet ujëmbajtësve sipërfaqësorë të kategorive ujëmbledhës, rezervuare, liqene artificiale.
– nëpërmjet ‘magazinimit’ nëntokësor që bëhet ose duke injektuar ujërat sipërfaqësore direkt në akuifer nëpërmjet pusesh ose duke e ushqyer akuiferin gradualisht nëpërmjet të ashtuquajturve basene karikues.
– nëpërmjet shtimit të mbulesës pyjore.

Ndërkohë jemi duke plotësuar informacionin dhe do të vazhdojmë me monitorimin, regjistrimin e të dhënave dhe përpunimin shkencor edhe gjatë muajve në vijim deri në pranverën e ardhshme.
Bazuar në eksperiencen e deritanishme, parashikojmë të nevojitet një volum i madh pune dhe prani e shtuar ekspertize por në përfundim do të kemi një projekt të kompletuar në çdo përbërës të tijin të gatshëm për zbatim dhe të garantuar në rezultat.

Ing.Ardit Konomi

@NewsIn.Al

Artikuj të ngjashëm

Më të lexuarat

Komente të fundit