Monday, May 19, 2025
spot_img
HomeAktualitetiItaka” e Konstandin Kavafit dhe disa komente rreth kësaj poezi: Ilia...

Itaka” e Konstandin Kavafit dhe disa komente rreth kësaj poezi: Ilia V. Ballauri

  1. “Itaka” e Konstandin Kavafit dhe
    disa komente rreth kësaj poezi: Ilia V. Ballauri

*
Odisea mbërriti më së fundi në Itakë, e përsëri mori në dorë vëndin e tij. Disa thonë se kjo ndodhi në vjeshtë. Qëllimi i aq shumë dëshiruar u arrit, u përmbush. Udhëtimet, mundimet, vuajtjet, odisea e tij që kanë habitur e joshur njerëzimin përreth tre mijë vjet, më së fundi mbaruan, na thotë Homeri dhe unë, pasi poeti i madh mbyll krejt eposin, paskëtaj, mbrëmjen e parë në Itakë, e imagjinoj njësoj të qetë, si edhe qetësia e një mbrëmjeje të zakonshme, të një dite shtatori, të vitit 2016 kur unë u gjenda në këtë ishull, pra në Itakë.
Tani pyes: a do të kish njerëzimi, Odisenë e Homerit, sikur Odisea dhe luftëtarët e tij hipur në anijet barkthella, duke çarë pa shqetësime detin ngjyrë verë, të shtyrë prej një flladi të mbarë, të kishin arritur kështu, pas disa ditësh lundrimi prej Troje, në Itakë?

*
Të shumta janë këndvështrimet që nxirren prej Odisesë, po për K. Kavafin përveç domethënies së drejtpërdrejtë të dashurisë për vëndin, për atdheun, për vatrën e ngrohtë familjare, kërkimi i Itakës ka edhe një domethënie tjetër të fortë, të nënkuptueshme: vetë udhëtimi dhe përpjekjet për ta arritur Itakën, për ta kapur atë, është dhurata më e madhe që i jep Itaka njeriut, pavarësisht nga mbërritja ose jo, në Itakë.
Jeta është një udhëtim dhe pikërisht tek ky udhëtim, qëndron vlera dhe kuptimi i saj.
Sipas Kavafit: Njeriu në jetë kërkon të arrijë një qëllim, “Itakën” dhe falë kësaj, fiton përvojë, njohuri. Ndoshta kur e arrin Itakën, e gjen atë jo siç e mendonte, më poshtë seç dëshironte, më të varfër, e megjithatë është një gjë: Itaka nuk e zhgënjeu, i dha. Mbi këtë filozofi, K. P. Kavafi, ka shkruajtur një poezi të shkurtër të titulluar Itaka, (1910 – 11) që mbahet si një prej poezive më të bukura të tij.

*
Kavafi, tek vargjet që do të lexoni, le të kuptohet se gjatë udhëtimit për në Itakë, drejt qëllimit, dalin përpara vështirësi, vuajtje, joshje mpirëse, ciklopë, lestrigonë (pengesa) por, nuk duhet të epemi, nuk duhet të kthehemi, nuk duhet të mbrapsemi, për më tepër, të pajisur me vullnet, guxim, shpirt, ndjenja të pamposhtura dhe me mendime të larta, të forta, fisnike, do të kuptojmë se vështirësitë janë të kapërxyeshme ose edhe të krijuara, tek mëndjet e njerëzve. Gjatë rrugëtimit drejt Itakës sonë, duhet të ecim, të ecim, bëjmë mirë të futemi shtigjeve, vazhdon ai, vëndeve të reja, limaneve, tek tregjet fenikase, (që janë sinonimi i shumëllojshmërisë) të njohim sa më tepër, të blejmë sa më tepër, të mësojmë sa më tepër, të provojmë sa më tepër, madje edhe të jetojmë sa më tepër kënaqësitë që të jep përpjekja, që të jep udhëtimi dhe të mos harrojmë kryesoren, të shohim, të dëgjojmë, të mësojmë sa më tepër (nga qytetet dhe të diturit egjiptianë, që janë sinonimi i dijeve) dhe asnjëherë të mos harrojmë Itakën, qëllimin, të ecim drejt tij, madje të lutemi që udhëtimi të jetë sa më i gjatë, mundësisht deri në pleqëri, etj, etj.
Pa motive, pa shtytje, jeta është shterpë, e zbrazët.
Për nobelistin G. Seferi: Itaka për çdo njeri, do të thotë atë pikësynim, që ai e mendon vetë pra çdo njeri, ka Itakën, apo Itakat e veta.
Le të dëgjojmë tani këto vargje të bukura, të Konstandin Kavafit.

I t a k a

Kur të dalësh e të marrësh rrugën për në Itakë,
lutu, lutu që rrugëtimi, të jetë i gjatë,
mbushur ngjarje, peripeci, plot njohje.
Mos ua ki frikën,
Lestrigonëve, Ciklopëve
dhe Poseidonit të zëmëruar.
Kurrë të tillë nuk ke për të gjetur në rrugën tënde, nuk ke për të takuar,
në qoftë se lart, qëndrojnë mendimet që ti ke,
në qoftë se të zgjedhura, janë ndjenjat që shpirtin tënd pushtojnë.
Lestrigonët, Ciklopët
dhe Posedonin e egërsuar, nuk ke për t’i takuar,
në qoftë se, nuk i mbart brenda shpirtit tënd,
në qoftë se shpirti yt, nuk t’i sajon, nuk t’i stis, nuk t’i ve përpara.

Lutu që rrugëtimi të jetë i gjatë,
lutu që të shumta, të jenë mëngjeset verore,
dhe me kënaqësi, gëzim,
të hysh në limane që për herë të parë i sheh.
Tek tregjet fenikase shiko të ndalosh,
mallra, sende të mira, bli, shtjer në dorë,
sedefe-margaritare, korale, qelibare dhe abanoze,
aroma joshëse të çfardolloji merr,
madje ke mundësi, [?]
aroma joshëse-kënaqësie sa më shumë.
Në sa më shumë qytete egjiptiane gjithashtu shko,
prej njerëzve që dinë, përfito, mëso.

Dhe gjithmonë, në mënd Itakën.
Aty është mbërritja, aty është qëllimi yt.
Dhe udhëtimin mos u ngut ta bësh shpejt,
të zgjatë, më mirë të zgjatë shumë vjet.
Plak madje në ishull të mbërrish,
pasuruar, mbushur me ç’ka rrugës fitove,
pa kërkuar që pasuri Itaka, të të japë.
Itaka të dha udhëtimin, të bukurin udhëtim,
pa të nuk kishe për të dalë e për të marrë rrugët,
të tjera më Itaka, nuk ka ç’të të japë.

Dhe në qoftë se Itakën të varfër e gjen,
ajo përsëri nuk të gënjeu,
i urtë, i ditur tashmë që u bëre, me kaq e kaq përvojë,
sigurisht që do ta kuptosh, se Itakat ç’duan të thonë.

Shqipëroi: Ilia V. Ballauri ©

N i s j a
p ë r n ë h a p ë s i r ë n q i e l l o r e m e
v a r g j e p r e j “I t a k ë s”, s ë K a v a f i t

Axiom Space, është një kompani private Amerikane me qendër në Teksas themeluar më 2016 e cila ka si qëllim, të realizojë fluturime të vetat private në hapësirë. Kompania në fjalë ka angazhuar ish punonjës të NASA-s, si dhe austronautë të njohur. Në vitin 2022, kjo kompani kreu për herë të pare fluturimin privat, në hapësirën qiellore ndërkombëtare për tu lidhur me stacionin ndërkombëtar hapësinor që ndodhet 400 km mbi tokë. Në bordin e anijes kozmike merrte pjesë një grup i përbërë prej katër austronautë, me udhëheqës grupi, austronautin veteran 63 vjeçar të NASA-s, Michael Lopez-Alegria dhe pjesëmarrës, biznesmenin amerikan Larry Connor, biznesmenin kanadez Mark Pathy dhe pilotin, astronautin e stërvitur prej vetë Axiom, israelitin Eytan Stibbe. Ky i fundit u bë israeliti i dytë që ka udhëtuar në hapësirë pas Ilan Ramon që pati qënë aty prej NASA-s, më 2003.
Ndërkaq nëpër botë një përshtypje të veçantë pati bërë mesazhi i E. Stibbe, disa minuta përpara çastit që do të nisej anija për në hapësirë i cili u shpreh: “Do të desha të ndaj me ju, disa fjalë prej poetit grek Konstandin Kavafi, …” dhe pastaj ai sjell disa vargje prej poezisë “Itaka” që kam sjellë më parë si më poshtë:
… …
Dhe gjithmonë, në mend Itakën.
Aty është mbërritja, aty është qëllimi yt.
Dhe udhëtimin mos u ngut ta bësh shpejt,
të zgjatë, më mirë të zgjatë shumë vjet.
Plak madje në ishull të mbërrish,
pasuruar, mbushur me ç’ka rrugës fitove,
pa kërkuar që pasuri Itaka, të të japë.
Itaka të dha udhëtimin, të bukurin udhëtim,
pa të nuk kishe për të dalë e për të marrë rrugët,
të tjera më Itaka, nuk ka ç’të të japë.
… …

Ilia V. Ballauri ©

Të mësipërmet gjenden në shqipërimin tim: Homeri – ODISEA (Vepra e plotë dhe sfond i saj enciklopedik) 2 vol. (369 + 383 = 752 fq. A4 ose rreth 1500fq. të një libri të zakonshëm). Shqipëroi, plotësoi me shënime, komente, analiza, ese, etj, dhe konceptoi dizajnin, Ilia V. Ballauri. Bot. Kotti Korçë v. 2017 Vol. 2-të, fq.315 – 317
Gjithashtu edhe tek: Fragmenta Litteraria – Varia”, 2 fq. 154 – 159

Ilustrimet:
1. “Gjithçka e qetë në Itakë”, Shtator 2016, foto origjinale, I. V. Ballauri ©
2. Vargje të “Itakës” shoqërojnë nisjen e anijes kozmike të Axiom Space

 

@NewsIn.Al

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments