Wednesday, July 22, 2026
spot_img
HomeAktualiteti"ITAKA"_ Poezi nga Artur Balli

“ITAKA”_ Poezi nga Artur Balli

ITAKA

Me velat fryrë, si balona në ajër
Përkundur ëmbël, shtyrë,
Nga erëra të tejdukshme emocionesh
Varka më afronte drejt ishullit mitik.Ndërsa unë, përhumbur, vështroja valët
Që si buzë të panumërta rrëshqisnin
E puthnin varkën
Duke kënduar të përjetshmet melodi
Të së dikurshmes, të ishullit, lavdi
Por unë ndjeja veç magjinë,
Veç muzikën, madhështinë
Pa mundur të kuptoj të valëve fjalët.

Që fëmijë ëndrra kisha parë
Të çuditshme
Sikur endesha mbi atë tokë
Të magjishme

Dhe ja ku i pashë, që nga larg
Të mëtonjësve të Penelopës
Anijet, varg:
Një rrjetë direkësh stoliplot
Që përkundeshin përgjumur
Zotërit e tyre duke pritur
Të kthehen fitimtarë a të kthehen të humbur,
Oh, më kot.

Pastaj dallova, ngazëllyer, atje
Në kodër, sipër, përmbi breg
Një njollë të bardhë nën hije ullinjsh
Që, tjetër, s’ish, nuk mund të ish
Veçse tufa që kulloste
Plaku i mirë Eumé.

Por ëndrra me sy hapur sa keq u shkërmoq
Prej zhurmës së spirancës q’u lëshua në mol
Dhe fryma më ngriu dhe gjoksi mu dogj
Zhgënjimi më shembi, si t’ishte rrufe
Kur, befas, u gjenda anijesh rrethuar
Që s’ishin antike dhe s’ishin helene
Por skafe veç ishin dhe varka moderne
Me emra të largët, me emra të huaj.

As kur shkela atë tokë
Me emocion edhe me mall të patreguar
Dot nuk gjeta ndonjë shteg, ndonjë njeri
Të më thosh se në ç’drejtim, nga duhej shkuar
Për të par’ gjurmë mitike përmbi trup trojesh antike…
Veç dyqane kish dhe kioska, çdo pëllëmbë,
Bar- taverna dhe turistë, mizëri
Që me kamera gjithllojesh, telefona nëpër duar
Merrnin poza, bënin foto pambarim
Dhe këmbenin buzëqeshje, thoshin fjalë
Në ca gjuhë europiane, në ca gjuhë aziatike
Zot, sa kot e pa kuptim!

Jo! Nuk mund të ish Itaka, ai vend
Ai ishull zhurmëplot e i gëzuar
S’ish ish Itaka siç e kisha ëndërruar.
As besova dot, itakas që të ishin
T’ishin bij, stërbijsh prej gjaku dhe gjeneze
Ata njerëzit, atje,
Që mundimshëm, në gjithfarë gjuh’ turistësh
Blerësit i përshëndesnin dhe i ndillnin
Buzagas drejt suvenireve kineze
Me mbishkrimet “Penelopë”, “Odise”

Ktheva krahët i zhgënjyer si fëmi
Mora rrugën, tutje zhurmës e rrëmujës
Gjer aty ku kishte fundin breg’ i vjetër
Drejt një shkëmbi të thepisur e të largët
Që jetonte pranë bregut, veç me valët
Për ta pyetur, ndoshta më rrëfente, ku
Ta kërkoj edhe ta gjej Itakën tjetër
Oh, atë, Itakën time
Siç e dija, siç e kisha ëndërruar
Siç e kisha dashuruar…
Ashtu,
Si një ishull magjik mes detesh mitike,
Nga malli krijuar,
Nga malli i mpiksur për vendlindjen,
I bërë gur, i bërë dhé,
Nga malli i rëndë i gjithë të ikurve
Që rreken pareshtur të rikthehen në atdhe.

A.B.
Shkëputur nga vëllimi “Qyteti Tjetër”

@NewsIn.Al

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments