KreuAktualitetiKam frikë nga Erion Braçe” — si ra në kurthin e agjentëve...

Kam frikë nga Erion Braçe” — si ra në kurthin e agjentëve “koka” e skemave piramidale online…

Kam frikë nga Erion Braçe” — si ra në kurthin e agjentëve “koka” e skemave piramidale online që zhvatën mijëra shqiptarë

Si të mos mjaftonte gropa financiare e vitit ’97, ku mijëra familje humbën gjithçka në firmat piramidale, shqiptarët, pas më shumë se 18 vitesh, janë përballur sërish me një skemë të ngjashme mashtruese — këtë herë e zhvilluar tërësisht online.

Bëhet fjalë për platformën “XUEX”, që ka shkaktuar dëme prej miliona lekësh, sidomos në zonat e Lushnjës dhe Divjakës.
Pas një sërë denoncimesh në rrjet, Policia nisi hetimet dhe zbuloi një grup me bazë në qarkun e Fierit. Gjashtë persona u arrestuan dhe dy të tjerë, një çift bashkëshortësh, u shpallën në kërkim.

Në dosjen hetimore, del edhe emri i Ereledio Shebekut, i dyshuar si një nga menaxherët kryesorë të skemës. Në një episod të dokumentuar nga agjentët, Shebeku ka refuzuar t’i regjistrojë në grupet e aplikacionit Telegram, duke i kufizuar vetëm në platformën Binance dhe duke u kërkuar që të gjenin një person tjetër për t’i përfshirë. Sipas dosjes, ai ka pohuar se kishte frikë pasi ishte përmendur publikisht nga deputeti Erion Braçe, i cili kishte denoncuar skemat piramidale online. Agjentët e Policisë ishin të pajisur me pajisje audio dhe video dhe kanë regjistruar veprimet simulese, që aktualisht janë në proces transkriptimi.

Në dosje theksohet se Shebeku, 35 vjeç, komunikonte në Telegram me një person të identifikuar si “Leo Smith”, që dyshohet se është shtetas britanik dhe koordinonte gjithë skemën. Shebeku kishte hapur grupe prej pesë personash ku secili investonte nga 1 000 deri në 5 000 dollarë, ndërsa “Leo Smith” u dërgonte çdo ditë faqe që duhej t’u bënin “like”, si pjesë e mekanizmit mashtrues të fitimeve.

Skema reklamohej hapur në qytet. Në hyrje të Lushnjës, në rrugën “Shëtitorja e Palmave”, në bar-restorantin “La Bonta”, ishin vendosur dy pankarta promocionale të platformës “XUEX” me mbishkrimin:
“EG Group Investment XUEX — Investim një herë = Përfitime të përjetshme”.

Pas hetimeve, Policia dhe Prokuroria e Fierit goditën grupin, duke arrestuar:
Arbër Çela (38 vjeç, Lushnjë), Emanuel Taullau (21 vjeç, Lushnjë), Flavio Mukaj (23 vjeç, Lushnjë), Marius Kodra (28 vjeç, Tiranë), Brunilda Todi (38 vjeçe, Divjakë), Brunilda Ndini (38 vjeçe, Divjakë).
Në kërkim janë shpallur Ereledio Shebeku (35 vjeç) dhe bashkëshortja e tij, Alma Shebeku (35 vjeç).

Në dosje thuhet se, përveç qytetarëve të zakonshëm, viktima të kësaj skeme janë bërë edhe efektivë policie dhe punonjës të bashkisë së Divjakës.

@NewsIn.Al

Redaksia NewsIn
Redaksia NewsInhttps://newsin.al
Redaksia NewsIn është profili redaksional i portalit NEWSIN.al për publikimet informative. Shkrimet me autor të identifikuar mbajnë emrin përkatës në përmbajtje. Më shumë: Rreth nesh. Për komunikim dhe saktësime: Kontakt.
Artikuj të ngjashëm

Më të lexuarat

Komente të fundit