KreuAktualitetiKëmbana dhe kitara.../ I.Jano

Këmbana dhe kitara…/ I.Jano

Këmbana dhe kitara…

Nuk e di përse sa herë kaloj nga rrugica me kalldrëm e shkollës së fëmijërisë, nga Mitropolia, si jemi mësuar ta quajmë ne korçarët, humbas në ato kujtime të largëta të mbushura plot me fytyra njerëzore dhe tinguj kitare që nuk lodheshin t’u jepnin jetë këmbanave hyjnore që trupat pa shpirt i bënë të heshtnin…
Pse u prenë tingujt e harlisur dhe gazmorë të kitarave që çdo mbasdite mbushnin rrugicën tonë?!
Ku gjendet ai djali i ri që, gjithë ditën punonte dhe mbasditeve me kitarën e tij, i bënte karshillek këmbanës dhe çupave që, si pa dashje, kthenin kokën sikur donin të shikonin vetëm pragun e kishës…?!


Sa e shurdhët ka mbetur rruga pa kitarën e tij, sa i varfër shpirti pa këmbanoren… Mbrëmjet janë po ato, po dyerve nuk shikon më njerëz, bile, as atë fshesaren e mirë nuk e sheh trotuareve me motrën e vogël për krahu…
Ndien mall dhe dashuri….ishte kohë njerëzish…Kur binte nata, në qytet binte heshtja dhe kur heshtja fillonte të mësohej, nga cepi i rrugicës, derdheshin tingujt e ëmbël të kitarës…tinguj përzierë me zëra që nuk dilnin, përzierë me këmbana që nuk dëgjoheshin…dhe muzgu zbehej e bëhej më ledhatar. Ngushtohej largësia midis shtëpive, se i afronte gëzimi i shpirtit…vajzat fillonin shëtisnin si të mbuluara me një magji drite ku dëgjoheshin buzeqeshjet e tyre që tirrnin dëshirat… Po pse u prene këta tinguj…pse nuk dëgjohet ajo këmbanë dhe rrugica jonë e shurdhët duket si pa jetë?
Thonë se, kur rrëmbyen këmbanën u thye dhe kitara…kur rrëzuan muret e Kishës, tretën dhe trupin e djaloshit…
Ato ishin bërë për të qënë bashkë…si besimi me shpirtin, ashtu dhe këmbana me kitarën… Por tani, edhe pse larg rrugicës sime, këmbanat kanë filluar të dëgjohen…dëgjohen ato dhe kitarat tërbohen… Njerëzit kënaqen dhe shpirtrat qetësohen…
E unë ec dhe sytë i mbaj te vendi ku isha mësuar të shikoja djaloshin me kitarë…ta shikoja atje poshtë këmbanores…
E di dhe jam i bindur që një ditë do ta shikoj…do ta shikoj se kjo rrugicë nuk rri dot pa këmbanën e saj…e atë ditë, bashkë me këmbanën do kthehet dhe ai djaloshi me kitarën e tij…do kthehet, sepse rrugica do jetën e jeta besimin që e lindi…

Ilir Jano _ 19 Mars 2015

@NewsIn.Al

Redaksia NewsIn
Redaksia NewsInhttps://newsin.al
Redaksia NewsIn është profili redaksional i portalit NEWSIN.al për publikimet informative. Shkrimet me autor të identifikuar mbajnë emrin përkatës në përmbajtje. Më shumë: Rreth nesh. Për komunikim dhe saktësime: Kontakt.
Artikuj të ngjashëm

Më të lexuarat

Komente të fundit