KreuKulturë / Art“KORÇA, Qyteti dhe kujtime” Mbresa mbi monografine e Vangjush Zikos.

“KORÇA, Qyteti dhe kujtime” Mbresa mbi monografine e Vangjush Zikos.

“KORÇA, Qyteti dhe kujtime”
Mbresa mbi monografine e Vangjush Zikos.

Të shkruash për Vangjush Zikon është sa e lehte aq dhe e zorshme. Poet, dramaturg, pedagog, studiues, perkthyes dhe përshtatës. Kam harruar pa përmendur formimin e tij të gjithanshëm. Ju kujtoj se është i pari nxënës i gjimnazit “Raqi Qirinxhi” që ka marrë medalje ari, për rezultatet e shkëlqyera në të gjitha lëndët.
Libri, që po e klasifikoj si monografi, i Vangjush Zikos mbi qytetin tonë mbush një boshllëk të vjetër dhe të ri, që askush më mirë se ai nuk mund ta realizonte. Ai është i dyti në llojin e tij mbas si vëllait të tij “Bezhani . . . . “ botuar disa vjet më parë.
Pjesa e parë ndahet në 46 tema të jetës së qytetit dhe përfundon me një vjershë, në vend të epilogut. Poeti brenda lëkurës së historianit dhe hulumtuesit e di se me dy vargje të poezisë së tij thotë më shumë, më bukur po se po, se me disa faqe. Janë 46 kapituj, sejcili prej të cilëve nëse zhvillohet më tej, mund të kthehet në një libër më vete. Kur libri ishte në procesin e botimit, Vangjushi më tregoi temat e kapura. U habita, jo për numrin e tyre, por për kujdesin e tij, për t’u ndalur edhe në ato copëza të harruara të jetës korçare, të cilat me kalimin e kohës dhe ndrimin e brezave po humbasin. Kjo nuk mund të quhet humbje, sepse me ndryshimin e kushteve të jetesës, shkollimin, punësimin e grave, etj, kanë ndryshuar edhe ato tipare të Korçës që e bënin të dallueshme me vendbanimet e tjera shqiptare.
A duhet të na vijë keq për këto humbje?
Edhe po edhe jo. Jeta ecën dhe zhvillohet, po kështu edhe njerëzit. Tani s’mund të flitet më për të shtunat korçare, kur valonin kazanet për të larë dhe dushet e mëvonëshme me vajguri me zhurmën e tyre të veçantë. Nuk ka më gra të ngeshme tek sofatet, për të biseduar dhe thashethemuar jo vetëm rrugën e tyre, por gjithë qytetin. Bile edhe sofatet nuk janë më në anët e portave. Gjatë shtrimit dhe rikonstruksionit të rrugëve firma ndërtuese i hoqi në shumicën e tyre (unë e mbajta timin). Po kështu gjithnjë e më pak mund të shohësh të shtruar në rrugë petkat dhe trahanin për t’u tharë. Ka shumë kohë që s’kam parë gra me lëmshe me fill pambuku të endin, për të bërë në vegël qilimat, shkorsat apo kuvertat e bukura.
Nuk kam për qëllim të shkruaj historikun e mirëfilltë të qytetit, thotë V.Ziko në hyrjen e librit. Dhe i është përmbajtur pohimit të tij. Në këtë libër ai ka përmbledhur kujtimet, mendimet dhe ndjenjat e tij të shtrira në vite dhe të kryqëzuara me njëra-tjetrën.
Vetiu të lind pyetja se pse Vangjushi nuk e shkroi këtë libër më parë. Me përvojën dhe penën e tij të fuqishme, mund ta kishte shkruar. Sipas meje nuk ishte i mbushur aq sa duhej me mall për të mos thënë me dhimbje. Dashuria e tij për Korçën nuk ka ndryshuar, por malli e ka bërë atë të ndryshme, më të brishtë, më mallëngjyese. Kjo dashuri lexohet midis reshtave në çdo faqe të librit.
Libri është një rrëfim i shpirtit të njeriut të mirë. Ai nuk ka turp të flasë dhe të shkruajë për atë pjesë të jetës së tij, që dikur quhej tabu. Për ato ndodhi të futura në një kuti të pahapshme për të tjerët. E bën këtë thjesht, saktë, aq sa duket sikur flet me lexuesin, i ulur para kafesë, çajit apo një gote me verë, nga vreshtat mbi shtëpinë e tij në Korçë, që mjerisht janë kthyer në djerrina. Të duket sikur je ulur në oborrin e tij dhe po uron me glikonë e ftoit të oborrit, të zbukuruar me aromën e borzilokut.
Nuk mundem t’i prek të gjithë kapitujt sepse do duhej të shkruhej një tjetër libër, kaq i ngjeshur dhe konçiz është materiali i sejcilit. Midis të tjerave në libër ka një kapitull mbi filantropët korçarë. Përmenden disa prej tyre duke filluar me Iljaz bej Mirahorin (s’jam i sigurt në duhet të quhet edhe ky si mirëbërës). Fotografia e bustit të Anastas Lakçe Avramidhit e mbuluar me “ndryshk”, më kthen pas në kohë. Ky bust mermeri ndodhej në krah të katedrales së Shën Gjergjit (shenjtit mbrojtës të Korçës), mbi varrin e tij. Edhe sot ndodhet mbi varrin e tij, në një cep të varrezave publike të Shen Triadhes. Sa të tjerë mirëbërës dhe patriotë të spikatur janë pa një kujtim, pa një bust? Me rastin e 100 vjetorit u vendosën disa pllaka përkujtimore në shtëpitë e tyre, por a mjaftojnë këto? Vangjushi ka vendosur në libër disa fotografi, s’mund t’i vendoste të gjitha. Por me këtë kapitull ai vendosi një tufë me lule, në kujtim për të gjithë bashkë.
I veçantë nga mënyra e trajtimit është kreu mbi serenadën korçare. Nuk dua të flas gjatë për këtë kapitull. Po pres përfundimin dhe botimin e monografisë tjetër të profesorit mbi këtë temë, sa të bukur aq edhe të domozdoshme sot. Më lart fola për harresën e shumë zakoneve të Korçës, për shkak të ndryshimit të kushteve të jetës. Por s’mund të pranohet humbja dhe ndryshimi i teksteve të serenadave. S’mund të pranohet as modernizimi i muzikës së tyre dhe kthimi në “tallava”. Aq më keq kur kjo bëhet nga këngëtarë korçarë.
Lokalizmi korçar është një kapitull ku ja vlen të ndalesh. “Lokalizmi, në përgjithësi, gjykohet si një koncept e qëndrim i ngushtë, që mbron, para së gjithash, interesat e ngushta të një qyteti e nuk mbron interesat e gjëra; ai, pra, nënkupton mbylljen në vetvete”. Me këto fjalë e përcakton “lokalizmin” autori. Më tej ai përcakton se mburrja për kulturën dhe jetën qytetare në veçanti nuk është lokalizëm, por një realitet, që s’mund ta fshehësh. Ata korçarë që drejtuan shtetin nën mbretin Zog, ata të tjerë që ndërtuan fabrika, uzina, etj, që ishin të parët në shkencë, kulturë dhe art, mbas luftës, nuk u mblodhën së bashku për shkak të lokalizmit. Ata ishin më të aftët, deri sa u zhvilluan pjesët e tjera të vendit. Por . . disa vite më parë, kur pyesje një punonjës dikasteri se kur ke mbaruar universitetin, merrje përgjigjen “skarparlli”! Para pak kohe disa policë që kishin shkelur ligjin, u përgjigjën se nuk ishin të gjithë nga Tropoja!?!
Shtoj këtu se edhe blogu “Bota e re” mund të quhet një lokalizëm për t’u krenuar, aq më tepër se kemi midis nesh edhe jo korçarë.
Pjesa e dytë me nëntitull Folklor Qytetar përmbledh pesë kapituj. Në këtë pjesë para nesh çfaqet shkencëtari erudit. Kjo pjesë është fryt i një pune të gjatë hulumtuese të Vangjush Zikos dhe ndahet në pesë kapituj relativisht të gjatë. Po i prek nga pak tre prej tyre..
Humori korçar & anekdotat. Përshtypja e shqiptarëve është se humori dhe anekdotat mund të jenë kudo në Shqipëri por jo në Korçë. Kjo për atë pak më shumë seriozitet, rregull dhe dëshirë për punë që ka patur dhe ka Korça ndaj qyteteve të tjera. Por po t’i lexosh këto dhjetra tema të shtjelluara nga V.Ziko në këtë nënndarje bindesh për të kundërtën. Shumicën prej tyre i kemi dëgjuar. Këtu qëndron edhe risija që sjell autori, në mbledhjen dhe renditjen në disa epoka, pa harruar të thotë “pasuria anekdotike korçare është shumë herë më e pasur se sa kjo që munda të mbledh unë“. Këto fjalë unë i kuptoj si ndjesë për korçarët, por edhe si detyrë për ata që shkruajnë, për të mbledhur dhe botuar të tjera anekdota. Sa mirë do ishte po të . . .?
Onomastika & Nofkat. Në ndryshim nga anekdotat Korça ze vendin e parë në Shqipëri për niofkat apo llagapet. Trajtimit shkencor i këtij kapitulli nuk mundesh t’i shtosh asnjë fjalë.
Nuk po ndalem në “Fjalët fluturake” dhe “Lirikën popullore qytetare”, për të kaluar në:
Festa pagane. Më ka tërhequr që i vogël festimi i ditës së verës dhe leximi i këtij kapitulli veç kujtimeve më fut në mendime. Dita e verës në Korçë festohej më 1 Mars. Sot në Shqipëri është shpallur festë zyrtare 14 marsi, dita e verës “allaturka”. Ku qëndron ndryshimi jam përpjekur ta sqaroj me shokë e miq të të dy feve, por nuk kam mundur. Edhe më parë kulaçin, komuniteti mysliman e bënte më 14 mars. Pse? Këto dy data, 1-shi dhe 14-ta lidhen midis tyre vetëm me ndryshimin e kalendarit Julian (allaturka) dhe Grigorian (allafrënga) në vitin 1582, në kohën e papës Grigori XIII. Ndryshimi u bë me qëllime fetare dhe u përqafua fillimisht nga të krishterët katolikë, më pas nga të gjithë vendet e botës me pak përjashtime. Por shkencërisht ishte një ndryshim i domozdoshëm, për shkak të matjes të saktë të kohëzgjatjes së vitit (rrotullimi i plotë i Tokës ndaj Diellit). Për këtë qëllim u shtua më vonë një ditë në katër vjet në muajin shkurt.
Më falni për zgjatjen e këtyre radhëve, por ju kujtoj se kalendarin Julian, “allaturka” e zbatojnë sot vetëm kishat ortodokse ruse, serbe, gjeorgjiane, polake dhe maqedonase, dhe pak vende të Lindjes së Mesme?!
Pjesa e tretë përfshin disa nga poezitë më të arrira të tij. Me qënëse nuk mundem të bëj një vlerësim të saktë të tyre po i mbyll këtu këto mbresa.

Pandi PAPANDO

Korçë mars – prill 2013

@NewsIn.Al

Artikuj të ngjashëm

Më të lexuarat

Komente të fundit