Korçë/ Institucionet dhe qytetarët bashkë në sfidën kundër korrupsionit
Komiteti Shqiptar i Helsinkit organizoi në qytetin e Korçës Ditën e Diskutimit Publik,fokusuar tek “Pjesmarrja qytetare dhe bashkëpunimi me institucionet në luftën kundër korrupsionit”.
Takimi bëri bashkë përfaqësues të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave,organizata të shoqërisë civile,gazetarë,studentë,pedagogë si dhe qytetarë të angazhuar.
Inspektori i ILDKPI z.Emiljano Kondi e vuri theksin tek mekanizmat që parashikon ligji për kontrollin e pasurive të zyrtarëve publikë,subjekt i këtij ligji,përmes të cilave bëhet kontrolli,verifikimi dhe hetimi si dhe rastet e fshehjes së pasurisë,të cilat i referohen më pas organeve ligjzbatuese.
Efektiviteti i ligjit për sinjalizimet e rasteve të korrupsionit dhe çfarë garancie jep ligji në fjalë për mbrojtjen e sinjalizueseve ishin një tjetër argument që u diskutua nga pikëvështrime interesante nga pjesmarrësit,për të cilët denoncuesit janë të identifikueshëm dhe rrjedhimisht të ekspozuar ndaj pasojave.
Duke u ndalur tek veprimtaria e ILDKPI,si institucion i pavarur, zoti Kondi ngriti shqetësimin e vakumit ligjor që pengon institucionin të verifikojë dhe hetojë asetet jashtë vendit të zyrtarëve publikë.
Pandëshkueshmëria dhe zbatimi i dobêt i ligjit ishin temat ku u orientua diskutimi i organizatave të shoqërisë civile,për të cilat lufta ndaj korrupsionit duhet të përfshijë domosdoshmërisht edhe edukimin dhe ndërgjegjësimin e qyetarëve,të cilët jo rrallë nga nevoja e stimulojnë fenomenin.
Drejtori ekzekutiv i organizatës Qëndresa Qytetrare Rigels Xhemollari,tregoi përmes rasteve konkrete të denoncimit të korrupsionit në universitetet publike rolin dhe peshën që ka çdo qytetar për t’i kontribuar luftës ndaj korrupsionit. Sipas tij nga monitorimi i gjashtë universiteteve publike rezulton që pjesa më e madhe e buxhetit orientohet drejt shpenzimeve për sigurinë e ndërtesave,dieta,karburant dhe pajisje zyre,ndërsa për kërkimin shkencor buxheti është i papërfillshëm.

Menaxherja e projekteve në Komitetin Shqiptar të Helsinkit Ardita Kolmarku vlerësoi si mjaft inkurajuese pjesmarrjen e gjerë të aktorëve të shoqërisë civile në këtë takim,duke u ndalur tek veprimtaria e kësaj organizate si kontributore e rëndësishme për forcimin e zbatimit të ligjit dhe luftën ndaj korrupsionit në vend. Sa i takon zbatimit të ligjit për sinjalizuesit nga monitorimi i Komitetit Shqiptar të Helsinkit rezulton se institucionet nuk po luajne rol aktiv për kallzime proaktive të rasteve të korrupsionit për të cilat ka indicie dhe prova. Denoncimet e rasteve të korrupsionit nuk duhet të bëhen vetëm nga qytetarët,-theksoi zonja Kolmarku, por sidomos nga institucionet,të cilat duhet të përfshihen dhe angazhohen më shumë me reagime konkrete dhe referim të rasteve.
Aktiviteti në qytetin e Korçës u mbajt në kuadër të projektit” Jo korrupsionit, po demokracisë”,mbështetur financiarisht me fonde te qeverisë suedeze,si pjesë e iniciativës Drive for Democracy/” Të vendosur për Demokracinë”.

Daniela Zisi
@NewsIn.Al
