205 VJET NGA LINDJA E THIMI MITKOS
️Më 7 maj 2025, në ambientet e Bibliotekës Publike “Thimi Mitko” në Korçë u zhvillua sesioni shkencor përkujtimor kushtuar 205-vjetorit të lindjes së rilindësit, atdhetarit dhe ndriçuesit të mendimit kombëtar, Thimi Mitko (1820-2025), i njohur gjerësisht si babai i folkloristikës shqiptare. Me përkushtimin e tij për të mbledhur, sistemuar dhe botuar trashëgiminë gojore të popullit shqiptar, Mitko hodhi themelet e një ndër degëve më të rëndësishme të shkencave albanologjike – folkloristikës. Emrin e tij me krenari e mban Biblioteka Publike e qytetit të Korçës, si një dëshmi e vazhdimësisë së misionit të tij arsimor dhe kombëtar.
➡️Aktiviteti u organizua nga Biblioteka Publike “Thimi Mitko” në bashkëpunim me Bashkinë e Korçës dhe Bibliotekën Kombëtare,e cila solli Ekspozitën dokumentare dhe bibliografike “Thimi Mitko – 205 vjet trashëgimi”, gjithashtu është pasuruar edhe nga pjesëmarrja e bibliotekave publike dhe universitare në rang kombëtar, si dhe nga kontributet e studiuesve të njohur nga Shqipëria, Italia dhe Greqia.
➡️Në fjalën hapëse, Drejtoresha e Bibliotekës, znj. Jorida Tollkuçi Dhëmbi, theksoi se emri i Thimi Mitkos nuk përfaqëson vetëm një figurë historike, por është një prani e përditshme në jetën e institucionit: në çdo lexues që kërkon një libër, në çdo studiues që ndjek gjurmët e së shkuarës, dhe në çdo aktivitet që synon të mbajë gjallë frymën e Rilindjes. Ajo u shpreh se përvjetori i 205-të i lindjes së Mitkos është më shumë se një datë – është një hapësirë reflektimi mbi rolin që figura të tilla kanë në formësimin e identitetit tonë kombëtar.
➡️Për të shënuar këtë ditë të rëndësishme, u çel ekspozita dokumentare dhe bibliografike “Thimi Mitko – 205 vjet trashëgimi”, e realizuar nga Biblioteka Kombëtare
➡️Pjesa artistike e programit u hap me një performancë emocionuese të Korit “Lira” të Korçës, nën drejtimin e muzikologut Pandi Bello. Me një repertor të përzgjedhur këngësh patriotike dhe lirike, kori solli një atmosferë të ngrohtë dhe të frymëzuar, duke risjellë në kujtesën kolektive elementet shpirtërorë të Rilindjes Kombëtare.
➡️Një tjetër moment i veçantë ishte interpretimi i poezisë së Thimi Mitkos “A e msove ti moj Korçë”, nga Mario Caci – një poezi me theks të fortë patriotik dhe arsimdashës, që lartëson gjuhën shqipe, qytetin e Korçës si qendër kulturore dhe figurat historike që kanë kontribuar për arsimin.
➡️Në përshëndetjet institucionale morën fjalën znj. Benila Themeli, Nënkryetare e Bashkisë së Korçës, dhe znj. Jola Tasellari përfaqësuese e Bibliotekës Kombëtare, vlerësuan rolin e Thimi Mitkos si urë lidhëse mes brezave dhe si një ndër themelet e mendimit të strukturuar kombëtar.
➡️Gjithashtu patem nderin dhe kënaqësinë e veçantë të kishim në linjë një nga figurat më të shquara të albanologjisë dhe studimeve kulturore shqiptare – Profesor Mateo Mandala.
Në vijim, sesioni shkencor solli kumtesa të rëndësishme nga studiues të fushës:
• Prof. Dhori Qiriazi, Universiteti Aristotelian i Selanikut – prezantoi një analizë të thelluar të veprës “Bleta Shqiptare” dhe korrespondencës së Mitkos.
• Prof.dr. Valter Memisha, Akademia e Shkencave – paraqiti studimin mbi dosjen “Th. Miko” në arkivat e Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë.
• Prof.dr. Matteo Mandala, Universiteti i Palermos – ndau shënime mbi letrat e pabotuara të Mitkos për Kamardën, duke nxjerrë në pah vlera të reja dokumentare.
• Prof.as.dr. Jonela Spaho, Universiteti i Korçës – analizoi poetikën e këngëve të dasmës dhe dashurisë në “Bletën Shqiptare”.
• Z. Pandi Bello, muzikolog – foli për dimensionin kulturor dhe shpirtëror të idealit rilindas të Mitkos.
#bibliotekadestinacioniim
#205vjetthimimitko
@Newsin.al