Kryepolici nxjer urdhër të ri për parkimet “dyshe”…shoferi rrezikon deri në 3 vjet burg!
Shoferët e automjeteve, të parkuara dysh nëpër rrugët e Tiranës, deri sot gjobiteshin nëse efektivët e policisë i evidentonin. Tani e tutje, kryepolici Ilir Proda, paralajmëron që për këto shkelje të qarkullimit rrugor, shoferët të rrezikojnë burg.
Secili efektiv që do të konstatojë automjete të parkuara në mënyrë të parregullt në rrugë, përbri një makine të parkuar anë rrugës, si dhe parkimi në vendet e taksive, stacionet e autobusëve apo vendqëndrimin e biçikletave, do ta referojë çështjen në prokurori sipas nenit 293 të Kodit Penal, i cili citon: “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit, vënia e pengesave dhe ndalimi me çdo mjet e mënyrë i qarkullimit të mjeteve të transportit automobilistik, hekurudhor, ujor e ajror, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet”.
“Ky fenomen i shëmtuar dhe i rrezikshëm do të zhbëhet, me çdo kusht”, – tha në një deklaratë drejtori i Policisë së Shtetit Ilir Proda.
Aktualisht, shoferet që i parkojnë keq makinat dhe bëhen shkak për bllokimin e rrugës ndëshkohen me gjobë nga 1 mijë deri në 3 mijë lekë ose me largimin e mjetit me karrotrec, por pavarësisht masave të shumta administrative të vendosura nga policia, shkelja sërish është përsëritur.
A është e drejtë kjo? Në cilin vend të botës hyn në burg për parkim të gabuar!?
Dil një herë rrugëve zoti Proda… Hajde nga Tirana në Korçë dhe shiko si kalojnë makinat atje ku punohet, mes gropave, dherave, pluhurit… shiko sinjalistikën!
Ato janë burim aksidentesh, jo parkimet e përkohsme për të blerë ilaçe në farmaci!
@NewsIn.Al
