Monday, August 24, 2026
spot_img
HomeAktualitetiKufizime në Exchange, shuma maksimale e parave fizike që mund të këmbehet

Kufizime në Exchange, shuma maksimale e parave fizike që mund të këmbehet

Banka e Shqipërisë ka miratuar një rregullore të re për licencimin dhe ushtrimin e veprimtarisë së këtyre subjekteve, e cila vendos për herë të parë kufizime të qarta mbi përdorimin e parave fizike.

Sipas ndryshimeve, subjektet e licencuara nuk do të lejohen të mbajnë në arkë vlera monetare mbi bazë ditore më të larta se kapitali fillestar minimal i përcaktuar në rregullore.

Kjo nismë synon të reduktojë rreziqet që lidhen me qarkullimin e shumave të mëdha në cash.

Një tjetër risi e rëndësishme është vendosja e një limiti për transaksionet me para fizike. Zyrat e këmbimit nuk do të mund të kryejnë shkëmbime që tejkalojnë shumën 1 milion lekë, ose kundërvlerën e saj në valutë të huaj, në një transaksion të vetëm apo disa transaksione të lidhura me njëra-tjetrën.

Çdo transaksion që kalon këtë kufi duhet të kryhet përmes llogarive bankare ose llogarive të pagesave.

Gjithashtu, gjatë procesit të licencimit, Banka e Shqipërisë do të konsultohet edhe me Agjencinë e Inteligjencës Financiare, krahas institucioneve që tashmë janë pjesë e këtij procesi, si Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, Autoriteti i Konkurrencës, Drejtoria e Policisë së Shtetit dhe Drejtoria e Tatimeve.

Rregullorja e re synon forcimin e kontrollit mbi veprimtarinë e këmbimit valutor, duke rritur transparencën financiare dhe duke ndihmuar në parandalimin e pastrimit të parave.

@NewsIn.Al

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments