Tuesday, February 17, 2026
spot_img
HomeAktualiteti“ Kur dashuria bëhet më e madhe se vetë jeta por njëkohësisht...

“ Kur dashuria bëhet më e madhe se vetë jeta por njëkohësisht e vogël përballë përjetësisë.” / Ervina Toptani

Besoj nuk ka njeri që nuk e ka parë filmin “Urat e Madison County”, realizuar në vitin 1995 me aktorët e mrekullueshëm Clint Eastwood dhe Meryl Streep.

 

Ky film është bazuar në romanin e shkëlqyer të autorit Robert James. Kam shkëputur letrën që Robert i dërgon Francesca-s pse mendoj se është rrëfimi dramatik më i përmbajtur dhe i qetë që një burrë mundet t’i shkrujë një gruaje. Kur dashuria bëhet më e madhe se vetë jeta por njëkohësisht e vogël përballë përjetësisë. Një burrë që dashuron me dinjitetin dhe respektin më të madh duke mos i lejuar as kohës dhe as ndërgjegjjes ta shuajë ndjenjën, por vetëm ta kristalizojë atë. Pak letërsi të mrekullueshme në një të hënë të rremujshme e rutine pune mes vrapit. Por unë përhumbem dëshirshëm tek e bukura e pakohë dhe shpresoj ndonjë tjetër si unë të përhumbet pak çaste po ashtu. Të gjithë kemi nevojë…

“E dashur Francesca,
Shpresoj që kjo letër të të gjejë mirë.
Nuk e di kur do ta marrësh, ndoshta kur unë të mos jem më.
Tashmë jam gjashtëdhjetë e pesë vjeç dhe kanë kaluar saktësisht trembëdhjetë vjet që nga takimi ynë i parë, kur kalova në rrugicën e shtëpisë tënde duke kërkuar udhëzime për rrugën.
Shpresoj me gjithë zemër që kjo pako e vogël bashkë me këtë letër të mos ta trazojnë në asnjë mënyrë jetën tënde. Nuk e duroj dot mendimin që aparatet e mia fotografike të përfundojnë në raftin e pajisjeve të përdorura të ndonjë dyqani ose në duart e një të panjohuri. Do të jenë me siguri në gjendje të keqe kur t’i marrësh, por nuk kam askënd tjetër kujt t’ia lë dhe më vjen keq për rrezikun që mund të të sjellin duke t’i dërguar.

Nga viti 1965 deri më 1975 kam udhëtuar pothuajse pa ndërprerje, me qëllim që të largohesha të paktën pjesërisht nga tundimi për të të telefonuar ose më keq akoma, për të të kërkuar, tundim që, kur jam zgjuar, praktikisht nuk më lë asnjë çast në qetësi. Kam pranuar çdo detyrë jashtë shtetit që më është dhënë. Ka pasur çaste, shumë çaste, kur i kam thënë vetes: “Në djall, po shkoj në Winterset dhe sado që t’më kushtojë do ta marr Francescën me vete.”
Por nuk i kam harruar fjalët e tua dhe i respektoj. Ndoshta kishe të drejtë, nuk e di. Por të largohesha nga rrugica e shtëpisë tënde atë mëngjes përvëlues gushti ka qenë sprova më e vështirë që kam përballuar ndonjëherë nē jetë. Nuk jam e nuk do të jem në gjendje të përballoj më diçka kaq të vështirë. Dyshoj, se ndonjë burrë tjetër në botë ka përjetuar diçka më të rëndë se kaq.

E lashë “National Geographic” në vitin 1975 dhe që atëherë jam përqendruar kryesisht në fotografimin e gjërave që më pëlqejnë mua, duke pranuar të gjitha punët që gjeja, shërbime lokale ose rajonale që nuk më mbanin më shumë se disa ditë larg.
Financiarisht ka qenë e vështirë, por ia kam dalë,
si gjithmonë.
Pjesën më të madhe të punës e bëj në zonën e Puget Sound. Më pëlqen ai vend. Kam përshtypjen se kur burrat plaken kanë dëshirë të jenë më pranë ujit, më pranë natyrës.
Ah, po, se për pak harrova, tani kam një qen, një golden retriever. E kam quajtur Highway dhe e marr pothuajse gjithmonë me vete kur udhëtojmë. Rri gjithë kohën me kokën jashtë dritares, në kërkim të vendeve interesante për të fotografuar.

Në vitin 1972 rashë nga një shkëmb në Acadia National Park, në Maine, dhe theva kyçin e këmbës. Gjatë rënies humba zinxhirin dhe medaljonin, por fatmirësisht i gjeta përsëri.
Jetoj me zemër të plagosur, nëse mund të quhet jetë, më shumë se kaq nuk mund të bëj. Përpara se të të njihja ty, kam pasur disa gra në jetën time, por pas teje asnjë. Nuk jam betuar asnjëherë se do të rrija beqar, por thjesht prej 13 vitesh nuk kam më asnjë interes tek asgjë dhe tek askush.

Një herë pata rastin të vëzhgoja sjelljen e një patoku kanadez, të cilit gjuetarët i kishin vrarë të dashurën. Ata kur e gjejnë njëri tjetrin bashkohen për jetë, ti e di. Pas ndodhi kjo, ai u soll e u rrotullua disa ditë i vetëm rreth liqenit. Herën e fundit që e pashë, notonte i vetëm mes orizores së egër, ende në kërkim, ende me shpresën se ajo do të kthehej një ditë. E di që nga pikëpamja letrare kjo analogji është kaq e drejtpërdrejtë me mua, ia ndjeva dhimbjen atij patoku të shkretë deri në shpirt.

Mëngjeseve me mjegull apo pasditeve kur dielli pasqyrohet mbi ujërat në veriperëndim, përpiqem të imagjinoj ku je dhe çfarë po bën. Nuk është fantazi e ndërlikuar… të shoh në kopsht, ulur në verandë, në këmbë para lavamanit të kuzhinës, tek gatuan, tek bën punë, gjëra të tilla.
I kujtoj të gjitha. Aromën tënde, lëkurën tënde ngjitur pas times dhe tingullin e pëshpëritjeve të tua ndërsa të dashuroja përjetësisht atë mbrëmje.

Robert Penn Warren dikur ka shkruar: “…duket si një botë e braktisur nga Zoti.” Pikërisht si bota ku unë jetoj unë çdo ditë pa ty. Kur nuk e përballoj dot më tensionin e mungesës tënde, marr qenin, makinën dhe largohem për disa ditë.
Nuk dua t’më vijë keq për veten, nuk është në natyrën time. Zakonisht nuk jam edhe aq keq kur e zë veten me punë deri në grykë. Megjithatë jam i lumtur që të kam takuar, që të njoha, qoftë edhe për një herë të vetme.
Mund të ishim tretur në eter si dy grimca pluhuri kozmik, pa e ditur ekzistencën e njëri-tjetrit e kjo do të ishte edhe më e tmerrshme se mungesa jote.
Zoti ose universi, ose çfarëdo emri që mund të kenë sistemet e mëdha të rendit dhe ekuilibrit në gjithësi, nuk e njohin kohën tokësore. Për universin, katër ditë janë njësoj si katër miliardë vite dritë. E përsa më përket mua e mbaj gjithmonë parasysh këtë.

Por, në fund të fundit, jam vetëm një burrë dhe të gjitha mendimet filozofike nuk mjaftojnë për t’më penguar të të dëshiroj, çdo ditë, çdo çast, me kokën e stërmbushur e stërlodhur prej rënkimit të pamëshirshëm të kohës … të kohës që nuk do të mund ta jetoj kurrë me ty.
Të dua, me dashurinë më të thellë e më të plotë që mund të ekzistojë. Kështu do të jetë përgjithmonë, deri në frymën time të fundit.

Kaubojsi i fundit,
Robert.”

Përktheu: Ervina Toptani

@NewsIn.Al

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments