HomeAktualitetiKur zanati "vdes" ngadalë…/Ervin Grigor Nikolla

Kur zanati “vdes” ngadalë…/Ervin Grigor Nikolla

Kur zanati “vdes” ngadalë…

Ervin Grigor Nikolla

Jetojmë në epokën e konsumit masiv dhe të shfrenuar, kur varianti i ri i një telefoni del në treg brenda pak muajve, kur një televizor sa një dollap blihet për 30 mijë lekë, kur vrulli i përditshmërisë na bën të zëvendësojmë një pajisje të vjetër thjesht duke blerë një të re. Po, edhe unë shpesh e bëj këtë, por nuk dorëzohem kollaj. Ata që më njohin e dinë se nuk para kursej dhe ata që më njohin më mirë, e dinë se më vjen natyrshëm të zbërthej, riparoj dhe montoj pajisje (qoftë edhe pjesë makine a motori), thjesht për të provuar nëse ia dal. Jam pak i çuditshëm për kohët që jetojmë. Por në fakt jam bërë i tillë nga inati. Në Tiranë jetoj pa shkëputje prej 26 vitesh dhe kuptohet, prej po kaq vitesh kam hasur gjithfarë ustallarësh, disa të aftë, disa totalisht të paaftë dhe ndonjë që përpiqet. Prej vitesh, i përballur me paaftësinë dhe përtesën e një pjese prej tyre, 90% të riparimeve i bëj vetë, nën moton: “Po të jetë për ta prishur, e prish vetë”. Në fakt, në shumë pak raste më ka ndodhur. Ajo që më bezdisi së fundmi, është sorollatja për të gjetur një “usta” për një konstatim banal defekti në një elektroshtëpiake. Pajisjen e çmontova vetë, që të ishte më e thjeshtë dhe e shpejtë zgjidhja. “Nuk ka ustallarë”, më tha dikush pranë tregut elektrik. Nuk e besova dhe bëra xhiro kot nëpër ca tipa që përtonin edhe të kthenin përgjigje dhe merreshin me pajisje të mëdha, sipas tyre. Nejse, një tip që pranoi të hedhë një sy e gjeta, pas 7 parazitëve që pa asnjë punë në dorë, përtonin të përdornin, ose nuk kishin një multimetër. Arsyeja që më pëlqen zanati i inxhinierit elektrik/elektronik, lidhet me fëmijërinë, kur me shumë kureshtje ndiqja punën e dy kushërinjve të parë, që ishin shkolluar për atë punë. Ndaj, duke njohur disi procesin e punës dhe duke përdorur ndonjë forum online, shpesh edhe sot “merrem” me këto punë. Por, ajo që më shqetëson është “vdekja” e zanateve, jo vetëm për pajisje elektrike/elektronike. Në qytet duhet të vish vërdallë me ditë për të riparuar diçka. Kanë mbetur ca orëndreqës dhe ndonjë këpucar, por edhe në serviset e makinave me zor gjen zanatçinj. Të rinjtë, që sot kanë 1001 mundësi për tu bërë më ta aftë se paraardhësit, as lexojnë, as mësojnë, thjesht i bien shkurt. Mund të jem pak me të vjetrën, por më lind pyetja, përse i propagandon qeveria shkollat e zanateve, kur aktualisht “ustai” po bëhet një fjalë e panjohur?

@NewsIn.Al

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments