Kush do të bëjë Shqipërinë, mjafton të vijë e të shohë si korçarët trajtojnë ujërat e zeza…
Nga Altin Bamllari
Impianti i Pastrimit të Ujrave të Ndotura, Korçë, ka një drejtor që është shoku im i ngushtë i gjimnazit, Lekoja. “Ujërave të ndotura”, edhe këtu korçarët janë sjellë me finesë.
Më në fund, para dy ditësh shkova dhe e pashë. Gjithmonë kisha nguruar sepse s’është ndonjë kënaqësi e madhe të shohësh ujërat e ndotura. Në përfytyrimin tim, sado fjalëve të mira të Lekos, unë e mendoja si një nevojtore të stërmadhe, ku shokut tim të ndershëm i kishte rënë hisja ta mirëmbante. Po ç’të shihja?! Impianti shtrihej në një fushë 13 ha me 9 vaska të mëdha që përpunonin ujërat e ndotura nga njëra fazë në tjetrën, derisa uji dilte në fund i pastër e u dërgohej nëpërmjet një kanali bujqëve të zonës. Rregull, pastërti, punonjës të veshur në të bardha, laboratorë të pajisur me mjetet e duhura, asnjë lloj ere, përsosmëri deri në detaje. Në hyrje të ndërmarrjes panele diellore për të kursyer energji. Anembanë Lekoja mbjell vetëm pemë.
-Epo Leko vëllai, ta them me plot gojën, dhe nuk është fare ekzagjerim, kush do të bëjë Shqipërinë, mjafton të vijë e të shohë si korçarët trajtojnë ujërat e zeza. Më le pa fjalë!
-Të ndotura, më korrigjoi Lekoja.
@NewsIn.Al