Laert Haxhiu, vrasja e Alfons Ndocit, gardianët e Koridhalos dhe lidhjet me mafien e Mykonos
GREQI– Gardianët në burgun e Koridhalos kanë mësyrë mesditën e sotme në dy qeli ku janë mbajtur të burgosur shqiptarë, ndërsa hetimet lidhen me vrasjen e të burgosurit 35-vjeçar shqiptar Alfons Ndoci dhe plagosjen e 46-vjeçarit kosovar Altin Vokrri në 26 Qershor.
Kontrolleve iu është nënshtruar qelia 32 e Etem Hoxhës dhe qelia 30 ku është mbajtur Laert Haxhiu para se të ekstradohej në Shqipëri. Vrasjen e Ndocit e mori përsipër Xhuliano Halili, një shqiptar i dënuar me burgim të përjetshëm për dy vrasje, ndërsa pamjet e siguruara nga mediat greke treguan se në përplasje kishin marrë pjesë disa të burgosur mes tyre edhe Etem Hoxha.
Edhe pse vrasja u konsiderua fillimisht se ndodhi për shkak të një konflikti lidhur me futjen ose jo në qeli të të dënuarve pas protestës së tyre lidhur me kondicionimin e qelive, ngjarja duket se ka edhe prapaskena të tjera.
Konkretisht mendohet se gardianët mund të kenë krijuar kushtet për vrasjen e Alfons Ndocit. Përvec kësaj, ka dyshime se vrasja mund të jetë e paguar nga “mafia e Mykonos”. Konkretisht në 2 korrik në Athinë u ekzekutua topografi grek Panagiotis Stathis, 54-vjec. Stathi ishte sulmuar tre herë më parë në Mykonos dhe Athinë. Dy nga këto sulme mendohet se i ka kryer Alfons Ndoci, i paguar nga persona të fuqishëm me interesa ndërtimi në ishullin grek. Dyshimet janë se për të krijuar kushte për vrasjen e Stathit, fillimisht është urdhëruar vrasja e Alfons Ndocit, me qëllim që ai mos të fliste për urdhëruesit e mundshëm të vrasjes së topografit.
Lidhjet e Ndocit me “mafien e Mykonos”
Alfons Ndoci dyshohet se ka operuar në Mykonos nën urdhrat e biznesmenit shqiptar Tonin Preka 42 vjec. Mes urdhrave që ka marrë nga Preka, dyshohet se ka qenë edhe rrahja e një biznesmeni, i cili aktualisht dyshohet si urdhërues i vrasjes së topografit, raporton TCH. Megjithëse punoi për Prekën, Ndoci u nda prej tij për mosmarrëveshje ekonomike. Në nëntor 2022, Ndoci u kthye në Mykonos dhe rrahu e grabiti Tonin Prekën. Bashkë më shqiptarin Gerald Jaho, 25 vjec, ata i morën Prekës 40 mijë euro.
Në janar 2023, teksa ndodhej në një qendër tregëtare në Athinë, Preka ka pikasur dy shqiptarët dhe ka njoftuar policinë se dy personat që e kishin grabitur ndodheshin pikërisht aty. Policia arriti t’i kapë ata pas një ndjekje me makina që shkaktoi edhe përplasje me mjete të parkuara. Policia u gjeti dy shqiptarëve 2 pistoleta “Berreta” dhe “Sig Sauer”, 1 krehër pa fishekë, 17 fishekë, 1 pako marijuanë, 16.207 euro dhe kartmonedha të shteteve të ndryshme. Gjatë verifikimit, rezultoi se Ndoci kërkohej për “grabitje në bashkëpunim” dhe kishte dy dënime me 3 vjet burg për “armëmbajtje nga një i burgosur” dhe “vjedhje”, ndërsa Jaho kërkohej për “grabitje në bashkëpunim”.
@NewsIn.Al

