Nga Artur Balli
30 Nëntor. Kalendari sërish sjell një datë që kujton Oscar Wilde-n dhe sërish më ngacmon të postoj disa vargje të ndjera të poetit të madh. Është dita kur u shua ylli i papërsëritshëm.
LE JARDIN DES TUILERIES
Ky ajër dimri, i ftohtë dhe i mprehtë,
I ftohtë dhe i mprehtë ky diell dimror,
Por, fëmijët, si në një vallzim ëngjëllor,
Rreth stolit tim vrapojnë, me hap të lehtë.
Nganjëherë ndan’ kioskës ku boja shkëlqen
Parakalojnë, krekosur, si ushtarë,
Nganjëherë, sykaltrit fshihen si kusarë
Aty, pas kaçubesh, ku askush nuk i gjen.
Dhe nganjëherë, kur dadoja plakë mban
Një libër pran’syve, ata vidhen pa bujë
Dhe varkat prej letre lëshojnë në ujë,
Ku dridhet hije e bronztë e Tritonit vigan.
Një çast, bëjnë si zogj që nisen fluturim,
Një çast, shfaqen si një bandë e egërsuar-
Dhe me doçkat që i mbajnë fort, shtrënguar,
Kacavirren në pemën si trung, pa blerim.
Ah! sikur t’isha në vëndin tënd, o pemë kërcu,
Dhe fëmijët kacavirrur përmbi trup ti ndjeja,
Dhe pse dimër, për hatër të tyre, do shpërtheja
Në lulëzim pranvere, gonxhesh bardhë e blu!
Shqipëroi: A. Balli
@NewsIn.Al

