Tuesday, July 8, 2025
spot_img
HomeAktualitetiLetër nënës! /Poezi nga Sergej Esenin

Letër nënës! /Poezi nga Sergej Esenin

Një fundjavë të mbarë për ju me një kryevepër ruse të Eseninit!

Letër nënës!

Poezi nga Sergej Esenin

Gjallë je, nënoke? Edhe unë
Gjallë jam. Shëndet më paç, shëndet!
Dritë e bëftë krejt kjo mbrëmje e lume
Izbën tënde, që me mall më pret.
Thonë se je ligur e je tretur
Nga meraku im, po nuk ankon,
Se, pështjellë me një shall të vjetër,
Fillikate rrugës shpesh kalon.
Dhe kur mugëtirë e kaltër bie,
Një vegim i zi të kall ty frikë,
sikur në një sherr diku në pije,
Vjen dikush e ma këput me thikë.
Kot, e dashur, vuan kaq, besomë,
Brenga t’i fanit këto ndër sy.
S’jam aq pijanec i lig sa ç’thonë,
Si do vdes pa të të parë ty?
Unë jam po foshnje, si një herë,
Dhe një shpresë veç ushqej në gji:
T’iki nga ky tym e kjo poterë,
Te shtëpiza jonë aty të vij.
Dhe do vij, kur kopshti ynë i bardhë
Anekënd të vishet me blerim.
Vetëm ti, si tetë vjet më parë,
Mos më zgjo aq herët në agim.
Mos e zgjo atë që shkrumb iu bënë
Endërrat e moshës plot hare.
Më ka vrarë jeta mjaft, o nënë,
Dua veç të shlodhem e të fle.
As t’i lutem Zotit mos më thuaj,
Si dikur në t’artën mituri,
Ti ke mbetur ngushëllim për mua,
Dritë e parrëfyer, vetëm ti.
Ndaj merak ti mos m’u bëj aq tepër,
Tek e liga mendjen mos e ço,
Dhe aq shpesh, me shallin tënd të vjetër,
Fillikate rrugën mos kalo.

@NewsIn.Al

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments