Tuesday, May 19, 2026
spot_img
HomeAktualitetiLigji i ri për energjinë, qytetarët dhe bizneset mund të blejnë dhe...

Ligji i ri për energjinë, qytetarët dhe bizneset mund të blejnë dhe të shesin: Çfarë ndryshon me panelet diellore

-Ligji i ri për energjinë, qytetarët dhe bizneset mund të blejnë dhe të shesin: Çfarë ndryshon me panelet diellore

Shqipëria po hyn në një fazë të re të sektorit energjetik, ku roli i qytetarit nuk do të jetë më vetëm ai i konsumatorit që paguan faturën mujore, por edhe i një aktori që mund të prodhojë dhe të shesë energji.

Projektligji i ri “Për sektorin e energjisë elektrike”, i hedhur për konsultim nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, parashikon një ndryshim thelbësor në mënyrën si funksionon tregu.

Për herë të parë futet koncepti i “klientit aktiv”, që do të thotë se individët apo bizneset mund të prodhojnë energji, për shembull përmes paneleve diellore, dhe ta përdorin jo vetëm për nevojat e tyre, por edhe për ta shitur apo ndarë me të tjerë.

Ky model hap rrugën për forma të reja të tregtimit të energjisë, si furnizimi i drejtpërdrejtë mes konsumatorëve, ndarja e energjisë në komunitete të caktuara apo krijimi i strukturave të reja ndërmjetëse në treg.

Në praktikë, kjo do të thotë se energjia nuk do të vijë më vetëm nga prodhuesit tradicionalë, por edhe nga vetë qytetarët.

Ndryshimi lidhet drejtpërdrejt me modelin europian të tregut të energjisë, ku decentralizimi dhe përfshirja e konsumatorit janë në qendër.

Projektligji synon të krijojë një treg më fleksibël, më të hapur dhe më të integruar me tregjet rajonale dhe ato të Bashkimit Europian.

Megjithatë, përfitimet reale nga ky model nuk do të jenë të njëjta për të gjithë. Mundësia për të prodhuar dhe shitur energji kërkon investime fillestare, çka e vendos avantazhin tek individët apo bizneset që kanë kapacitet financiar për të hyrë në këtë treg.

Paralelisht, dalja e aktorëve të rinj dhe formave të reja të tregtimit rrit kompleksitetin dhe hap diskutime mbi mënyrën se si do të funksionojë konkurrenca në praktikë.

Projektligji shënon një hap drejt transformimit të sektorit energjetik në Shqipëri, duke e zhvendosur atë nga një model i centralizuar në një treg më të hapur, ku energjia nuk trajtohet më vetëm si shërbim publik, por edhe si një produkt ekonomik që mund të prodhohet, të shpërndahet dhe të shitet nga më shumë aktorë.

@NewsIn.Al

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments