Teksa prokuroria e posaçme SPAK, është në fazën përfundimtare të komunikimit të akuzave për 33 personat e arrestuar në atë që quhet dosja “Dumani”, një lëvizje e papritur që ka lidhje me këtë çështje, ka ndodhur në Elbasan.
Prokuroria e këtij qyteti, pak ditë më parë ka marrë vendimin për shpalljen e moskompetencën juridike për tre mjekët e arrestuar pas vizitës mjekësore që i bënë Nuredin Dumanit në ambientet e shtëpisë ku strehohej në Fier.
Ndërkohë fillimisht arrestimi i tre mjekëve është kryer me urdhër të prokurorisë së Elbasanit. Pritet që në ditët në vijim prokuroria e Fierit, ti komunikojë akuzën tre mjekëve për “Moskallëzim Krimi” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.
Gjatë fazës hetimore, tre mjekët kanë mohuar akuzat duke treguar se ata kishin shkuar vetëm një herë të vetme në ambientet e shtëpisë, duke mos pasur asnjë informacion mbi identitetin e personit që do mjekonin.
Po në mbrëmjen e asaj dite, kur mjekët vizituan Dumanin, në 29 Mars 2022, policia ka rrethuar zonën duke arrestuar Nuredin Dumanin e plagosur, që prezantohej si shtetas kosovar me emrin Arvit Spahiu.
Mes personave të arrestuar ishte dhe e dashura e tij, Mirjetë Hajdini, dhe shoku i ngushtë Henrik Hoxhaj.
Në dëshminë e tij, Hoxhaj që tashmë konsiderohet si bashkëpunëtor i prokurorisë SPAK, ka rëfyer se:
”…kur e futa në shtëpi e kam zhveshur Nuredinin dhe pasi u zhvesh ai filloi të villte. Menjëherë duke parë gjendjen e Nuredinit kam dalë dhe kam kërkuar për ndihmë mjekësore ku kam gjetur mjekun Bledi Bërdalli dhe dy tjerët nuk i njoh me emër, të cilët i kam të njohur në qytet dhe janë me profesion mjek e infermier. Të tre ata kanë ardhur tek shtëpia dhe i kanë dhënë ndihmën mjekësore Nuredinit për sa kishin mundësi dhe më pas janë larguar. Rreth orëve të mbrëmjes orën e saktë nuk e di, mua më ka kapur policia në trotuarin para pallatit, ku ishte Nuredini dhe në brez më ka gjetur armën “TT” që kisha marrë nga makina e Nuredinit. Më pas kam parë që policia u fut edhe te hyrja e pallatit ku ishte Nuredini. Unë jam shoqëruar në polici dhe nuk fiksova gjë tjetër se çfarë ndodhi aty brenda
@NewsIn.Al

