♠
“Mesnatë në Korçë” – Poezi nga Bardhyl Londo
E dua këtë qytet. Dhe ai më do herë pas here.
Kur jemi larg krahët tundim drejt njëri-tjetrit
si mullinj ere.
Kur jemi pranë qeshim, heshtim, qajmë,
Malli mbi katedralen e qytetit tingëllon kambanë.
Tani kalldrëmeve eci i vetëm në mesnatë,
pa një kitarë malli, pa një mall serenate.
Pa shokë, pa miq shpërndarë nëpër botë për jetë
me një hënë të huaj që nuk di ç’ndriçon as vetë.
Hapuni porta, u bërtas, s’më njihni? Jam miku juaj.
Është vonë, thonë ato, ç’kërkon kaq vonë o i huaj?
Mbi kalldrëmet e ashpër si me gurë strralli
nuk shkel këmba ime por ngadalë zvarritet malli.
Pa një tavernë hapur, pa një pijetore zhurmëshumë,
i verbër si Homeri ngjan qyteti, do verbohem edhe unë.
Të desha, i bërtas dhe ti më doje herë pas here,
pse më fshihesh tani, pse s’më hapet asnjë derë?
Në këmbanore do ngjitem, kambanës ti bie pa pra,
në këtë qytet nuk kam më asgjë. Në këtë qytet kam gjithçka.
Korçë, qershor 2020
[ Poetët nuk vdesin kurrë, sepse vargjet e tyre janë të përjetshme ]
Qofsh i Parajsës mjeshtër !!!
@NewsIn.Al
