BEDRI DEDJA
(1930 – 13 prill 2004)
“Monumenti i letërsisë për fëmijë”
Për dekada të tëra e për breza të shumtë fëmijësh shqiptarë, brënda e jashtë kufijve të Shqipërisë, librat e Bedri Dedjes kanë ushqyer dhe edukuar me ndjenjën e dashurisë, me frymën e atdhetarizmit dhe bukurisë artistike të gjuhës shqipe mijëra e mijëra lexues të vegjël.
Që në vitet 60-te, Bedri Dedja shkruante:
“Më i lumtur nga të gjithë do të jetë ai popull, i cili më mirë se çdo gjë tjetër do të mësojë fëmijët e vet, do të dijë të pasurojë mendimin dhe t’u japë drejtimin ndjenjave të tyre.”
Si bija e tij, unë pata fatin t’i qëndroja pranë që në moshë të njomë dhe mund të dëshmoj se Bedri Dedja ishte gjithshka që simbolizon artin e edukimit, artin e të rriturit të fëmijës; ai ishte një baba i ndarë në tre, pesë apo gjashtë veta: duke nisur nga prindi, pedagogu, mësuesi, shoku, moshatari, gjyshi i përrallave… Fjala e Tij ishte e magjishme. Gjithshka që pritej, ndodhej aty: bukuria, gjallëria, humori, ëndrrat fëminore, guximi, besimi për të ardhmen, ndriçuar e ngjyrosur me mjeshtëri nga fantazia e Tij e pashoqe.
“Vepra e Dedjes, – shkruan gazetarja italiane Catterina Zuccaro – është një ftesë për të mbetur fëmijë në zemër, nga ana e një njeriu që, duke vepruar kështu, u bë monument i letërsisë për fëmijë. Dhe jo vetëm për fëmijët, më lejoni ta them.“
Edlira Dedja
@NewsIn.Al

