VOSKOPOJA
(Mund ta lexoni pllakën… dhe ta kuptoni sa e lavdishme ka qënë Voskopoja… Të krenohemi me historinë e të parëve tanë dhe meritat që kanë Arumuno-Vllahët).
Pak kujtesë për Voskpojën…
Shkatërimi i parë zuri fill në 24 qershor të vitit 1769. Këto fakte gjenden në kodikët e Manastirit të Shën Prodhomit të mbajtura nga Mihail Gora, i njohur si njeriu i letrave të asaj kohe. Gora e përshkruan kështu ditën e 24 qershorit të vitit 1769: – “U plaçkit gjithë qyteti… U dogjën shumë shtëpi… Të gjithë njerëzit u shpërndanë në të gjitha anët… Nuk mbeti më asnjë qen.”
Në datën 24 qershor të çdo viti, pranë Kishës së Shën Prodhomit, organizohej panairi tregtar, traditë kjo që vazhdon edhe në ditët e sotme. Pra djegia e Voskopojës ndodhi në një nga ditët e panairit.
Në vitin 1769, lulëzimi i Voskopojës ishte jo vetëm i dukshëm, por edhe mjaft i rëndësishëm. Sipas fakteve historike, në Voskopojë ekzistonin 14 grupime esnafësh. Më të njohur ishin ata të bakërxhinjve dhe të argjendarëve, por pa mbetur pas esnafët e tabakëve, të bakajve, kazanxhinjëve etj.
Prodhimet e voskopojarëve njiheshin dhe kërkoheshin deri në tregjet e Greqisë, Italisë, Serbisë, Austrisë e më gjerë.

-“Zhvillimi dhe pasurimi i tregtarëve voskopojarë nisi të mos shihej me sy të mirë nga rrethet feudale, të cilat e shihnin si konkurrencë të fuqishme Voskopojën, por edhe si falimentim për ta”,- sqaron Mihail Gora. Për këtë arsye, në një nga ditët e panairit në dt. 24 qershor të vitit 1769, Voskopojës iu vu zjarri dhe sipas Gorës, “nuk mbeti asnjë qen”. Vetëm nga shprehja e fundit kuptohet së në ç’masë kishte shkuar shkatërrimi i Voskopojës. Ky shkatërrim nuk u ndal as nga mbrojtja që i kishte shpallur Voskopojës nëna e Sulltanit, Valideja.
Pas këtij shkatërrimi nuk ekziston më shtypshkronja, e cila kishte qenë në punë për 38 vjet më radhë që nga viti 1731. Të njëjtin fat pëson dhe akademia, anekse të saj u dogjën krejtësisht. Pas vitit 1802, nuk flitet më për të, ndërsa rrënojat do të qëndronin si dëshmi deri në vitin 1850. Shkatërrimi i parë merr me vete edhe bibliotekën, ato pak libra që mbeten i kaluan Mitropolisë së Korçës.
Tregtarët e mëdhenj të asaj kohe do të shpërnguleshin drejt Korçës, Beratit, Elbasanit, Tiranës, Manastirit, Krushovës, Shkupit Rodopevës e gjetkë. Voskopoja njeh braktisjen e madhe. Shumë prej kishave ishin djegur.
Viti 1769 shënon rënien e Voskopojës. Para shkatërrimit mendohet se Voskopoja ka patur 60 mijë banorë. Kjo shifër është përmendur në letrën e priftit voskopojar Jorgji Semioni, drejtuar autoriteteve hungareze, ku shkruan: “Voskopoja kishte patur dikur 60 mijë banorë”. (Vasil Nasaj).

#NewsIn. Al

