Ndryshon gjithçka në kufi! Greqia nis kontrolle biometrike – udhëtarët përballen me vonesa
Kontrolle të reja në kufirin grek: Shenjat e gishtërinjve dhe fotografim për udhëtarët – radhë të gjata dhe vonesa
Që nga dita e sotme, autoritetet doganore greke kanë nisur zbatimin e një sistemi të ri kontrolli në pikat kufitare, duke futur procedura biometrike për udhëtarët.
Sistemi i ri përfshin marrjen e shenjave të gishtërinjve dhe fotografimin, kryesisht për personat që udhëtojnë me pasaportë dhe kanë të drejtë qëndrimi në vendet e Bashkimit Evropian brenda zonës Shengen.
Sipas burimeve nga terreni, ky ndryshim ka shkaktuar menjëherë vonesa të konsiderueshme në përpunimin e udhëtarëve, edhe në raste kur fluksi nuk është i lartë. Procedurat e reja kërkojnë më shumë kohë për verifikim dhe regjistrim të të dhënave, duke krijuar radhë të gjata në kufi.
Udhëtarët shprehen të shqetësuar për pritjet e gjata dhe mungesën e informacionit paraprak mbi këto masa të reja.
Nga ana tjetër, autoritetet greke nuk kanë dhënë ende një njoftim të detajuar publik mbi kohëzgjatjen e procedurave apo nëse do të ketë lehtësime në ditët në vijim, shkruan AlbaniaTv.
Ekspertët e çështjeve kufitare theksojnë se këto masa janë pjesë e përpjekjeve për të forcuar sigurinë në kufijtë e jashtëm të zonës Shengen, por paralajmërojnë se zbatimi i menjëhershëm, pa një fazë testimi, mund të sjellë pikërisht situata të tilla me vonesa dhe konfuzion.
Ndërkohë, udhëtarëve u rekomandohet të planifikojnë kohë shtesë për kalimin e kufirit, deri në stabilizimin e plotë të sistemit të ri.
@NewsIn.Al
