NE FATKEQËT
Mirra (Maria) Lokhvitskaya
Oh, ne fatkeqët,
të dënuar
në të mira të harruar
prej së keqes dërrmuar,
me ëndrra të mëdha,
në vepra të dëshpëruar,
të etshëm, të egërsuar,
në lotë, lumë i pandaluar.
Prej fatit veçuar,
ndaj lumturisë larguar,
me sjellje të pakuptuar,
furtunës ngatërruar.
Me yllin dashuruar,
prej yllit larguar,
të etur, të urtuar.
Oh, ne fatkeqët,
të dënuar
në të mira të harruar
në të keqe të lindur, formuar,
frutin e dijes provuar,
mëkatit mëkatuar,
errësirës dënuar,
prej Parajsës të papranuar.
Shqipëroi: Ilia V. Ballauri ©
Nxjerrë nga: I.V.B., Fragmenta Litteraria – Varia 2, fq. 145, 149
* * *
Mirra (Maria) Lokhvitskaya (Мари́я Алекса́ндровна Ло́хвицкая; 1869 – 1905) është një nga poetet e krijimit të vargjeve më të flakta erotike dhe sensuale, në letrat klasike ruse. Ajo është quajtur prej bashkëkohësve të saj si “Safoja Ruse”. Jetoi pak, 36 vjet dhe gjatë kësaj jete të shkurtër, ajo botoi 5 libra me poezi. Në kohën kur jetoi u vlerësua me çmimin “Pushkin”. Në periudhën e Bashkimit Sovjetik, thuajse u harrua krejtësisht, nuk u vlerësua, u konsiderua si shkrimtare e parëndësishme, e degjeneruar, e papërshtashme. Vitet e fundit Mirra Lokhvitskaya, është rehabilituar dhe shihet si një nga zërat më origjinale, më me influencë të “Periudhës së Argjëndtë” të poezisë ruse. Ajo shtroi rrugën për poetet e tjera të mëdhaja si Anna Ahmatova, Marina Cvjetajeva, etj. Ja disa vargje të tjera të Lokhvitskaya-s (1899):
* * *
Я хочу умереть молодой.
Золотой закатиться звездой.
Облететь неувядшим цветком.
Я хочу умереть молодой …
Dua të vdes e re
të rrëzohem yll i artë përdhè,
si lule e freskët, këputur,
të vdes e re dua, … [e bukur], …
I.V.B. ©
@NewsIn.Al

