Wednesday, August 19, 2026
spot_img
HomeOpinionNe ishim atje...frike kishim, e friken donim te vrisnim!/ Nga Ilir Jano

Ne ishim atje…frike kishim, e friken donim te vrisnim!/ Nga Ilir Jano

Ne ishim atje…frike kishim, e friken donim te vrisnim!

Ajo shoqëri që nuk njeh të vërtetën për historinë e saj është një shoqëri gjysmake, e paditur… është një shoqëri që kurrë nuk mundet të analizojë dhe të konceptojë gjendjen e sotme aktuale.
20 Shkurt 1991…Ishte një ditë që nuk mund të jetë kurrë si të tjerat. Ishte dite me një uragan që u ngrit nga zemrat e mori jetë nga ëndrrat…ishte brezi që “vriste” frikën për t’i kthyer jetën një populli….ishin ideale që nuk mund të duronin “Buste” në fisnikërinë e tyre…Enver Hoxha, ishte arsyeja e ekzistencës së shtetit që kishim atëhere…E ne donim që kjo arsye mos ekzistonte më… E dinim që rrezikonim dhe shkonim me ndërgjegje të plotë drejt asaj që ishte e panjohur për ne.

Frikë kishim, e frikën donim të vrisnim… të rinj ishim, por ”rini” nuk kishim… Ne ishim të gjithe aty… ishim aty me shpirtin tonë… me zemrën, ëndrrën, idealin, dashurinë për jetën… Ne ishim aty me ata “shumë që mungojnë”, me ata “shumë që kujtojnë”, me ata “shumë që jetojnë”, me ata “pak që besojnë”…Ishim aty me ata që jetën dhane burgjeve e internimeve, ishim aty me ATA që me gjak lanë telat me gjemba që rrehonin piramidën komuniste. Ne ishim aty dhe përballë kishim shumë nga ata që prej busteve rronin…
Tashmë kanë kaluar 30 vjet nga ajo ditë dhe të rinjtë nuk e kuptojnë, përfituesit e harrojnë, “indiferentet” e gjykojnë, ata dhe ato që ishin aty e nderojnë…

Ne donim dhe duam demokracinë…. rrëzuam Statujën e diktatorit, por nuk mundëm “të thyenim” bustet brenda shpirtit të shumë njerëzve… Ngritëm simbolet e demokracisë, simbole fitoreje të cilat shumë nga ata “të busteve pe allçie” i kthyen vetëm në gishta që simbolizonin vjedhjen…
Ne ishim atje dhe gjithmonë do të jemi krenarë për këtë…Ne nuk ishim heronj… Ne donim thjesht të jetonim pa frikë, pa ankth në shpirt, pa dëshpërim e rrugë pa krye !
Në cilëndo mënyrë që të festohet kujtimi i 20 shkurtit 1991, për mua dhe të gjithë ata dhe ato që donim lirinë e shprehjes e të mendimit, lirinë e veprimit, lirinë e të qënit njeri, për gjithë atë brez që zgjoi një popull të tërë nga gjumi letargjik e që vrau frikën, është e mrekullueshme…

Është e mrekullueshme pasi akoma ka një pjesë njerëzish, që kanë ngelur ende njerëz, që të paktën nje ditë në vit sjellin ndërmend me nostalgji pjesën më të mirë të vetvetes, atë pjesë të ndërgjegjes që mendon e kërkon ndryshimin gjithmonë. Të mbash kokën prapa për të parë e riparë ngjarjet ku ke qënë dëshmitar e protagonist , nuk është asgjë e keqe. Protagonistët e vërtetë të atyre ditëve të zjarrta aktualisht nuk kanë piedestale…piedestalet jane me “protagonistë e heronj” të rremë, për të cilet studentët dhe të gjithe shokët e shoqet e brezit tim luftuan për t’i rrëzuar!

20 shkurt 1991, Dita që ndryshoi jetën tonë… vite do të kalojnë, por mesazhi i asaj Dite gjithmonë do të jetojë!!!
Mos harroni…

ILIR JANO

@NewsIn.Al

 

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments