KreuAktualitetiNjë fjalë e ëmbël, një vështrim i ngrohtë në 60 vjetor...Jo një...

Një fjalë e ëmbël, një vështrim i ngrohtë në 60 vjetor…Jo një dhuratë e shtrenjtë, vetëm këtë fjali: “Ti je ende dashuria ime, më e çmuara ime.”

Sot i mbusha plot 60-të vjeçe, vesha një fustan të kuq dhe po prisja komplimente, por fjalët e ftohta si akull të burrit tim më bënë të qaja. U përgatita për këtë ditë si një vajzë e re që shkon në ballo. E kisha zgjedhur atë fustan të kuq një muaj më parë, i derdhur në mënyrë elegante, i kulluar, pak poshtë gjurit. As zbulonte dhe as nuk tërhiqte vëmendje; por ama një bukuri e dukshme. Nuk kisha veshur ngjyra të ndezura për vite me radhë. Por këtë herë doja të ndihesha e gjallë, të kujtoja se isha një grua. Jo vetëm një gjyshe, jo vetëm gruaja e shtëpisë…

I rregullova flokët, thirra një parukiere në shtëpi. Hodha parfumin tim të preferuar, të cilin ai ma kishte dhuruar shumë kohë më parë dhe unë e përdorja me pikatore. Tavolina ishte pothuajse gati: sallata, torta, nipër e mbesa që qeshnin me tullumbace në duar – gjithçka ishte në vendin e vet. Muzikë e lehtë po luhej në dhomë. Trëndafila të kuq në një vazo. Ai hyri në derë rëndë. Me kokën poshtë, hoqi këpucët me vështirësi. Më shikoi. “Ku po shkon e në këtë gjendje, në dasëm?”, tha i ftohtë fare. “Nuk ke moshë më për këto gjëra.”

Me buzëqeshje të ngrirë, mbeta si kukudhe në mes të dhomës. “Mendova se dukesha bukur”, pëshpërita. Ai shfryu me zë të lartë, kaloi pranë meje, dhe u largua indiferent. Ai as nuk më puthi. U mbylla në banjo. Qava. Rimeli mu prish, fytyra mu çrregullua. Isha gjashtëdhjetë vjeçe. Gjithçka që prisja ishte pak dashuri, një fjalë e ëmbël, një vështrim i ngrohtë. Jo një dhuratë e shtrenjtë, vetëm këtë fjali: “Ti je ende dashuria ime, më e çmuara ime.”

Por nuk kishte mbetur asgjë më në sytë e tij. Pranë tij, isha si një copë mobilje. Dyzet vjet martesë, fëmijë, borxhe, sëmundje, isha gjithmonë pranë tij. Kur më fliste ashpër, gjithmonë i thoja vetes se e ka nga lodhja e tepërt. Mendoja se do të ndryshonte një ditë. Vitet ikën, dhe ngadalë u bëra e padukshme për të. Në këtë ditëlindje sot kuptova: Nuk kisha çfarë të prisja më nga ai. Hoqa grimin. Vesha një pulovër gri dhe një palë pantallona. I prita mysafirët, ndeza qirinjtë.

Nipërit dhe mbesat qeshën, por zemra e gjyshes së tyre ishte copë copë. Fëmijët e mi u sollën sikur nuk kishte ndodhur asgjë. Vonë natën, pasi të gjithë ishin larguar, lava enët dhe shkova në shtrat. Ai ishte i shtrirë në divan duke parë futboll. “As nuk më urove për ditëlindjen”, thashë me zë të ulët. “Të bleva një lavastovilje. Çfarë do më shumë?”, tha ai duke mos i hequr sytë nga ekrani. “Ndoshta… diçka tjetër”, thashë, duke buzëqeshur me trishtim.

U zgjova herët të nesërmen në mëngjes. Një shënim gjeta në tryezën e kuzhinës: “Jam te mami. Do të kthehem pasdite.” U ngrita. E vesha përsëri fustanin tim të kuq. U pashë në pasqyrë. Dhe në atë moment e kuptova: Mund të jem ende e bukur. Mund të jetoj akoma, jo për dikë tjetër, por për veten time. I bëra vetes një filxhan kafe. Hapa kompjuterin dhe fillova të kërkoja një udhëtim për në Itali. Pse jo? Nuk jam e vjetër. Jam e lirë. Dhe meritoj shumë më tepër sesa një lavastovilje të ndyrë dhe fjalë lënduese.***

Vasil Jorgji _”Të gjithë shqiptarët e bashkuar”

@NewsIn.Al

Redaksia NewsIn
Redaksia NewsInhttps://newsin.al
Redaksia NewsIn është profili redaksional i portalit NEWSIN.al për publikimet informative. Shkrimet me autor të identifikuar mbajnë emrin përkatës në përmbajtje. Më shumë: Rreth nesh. Për komunikim dhe saktësime: Kontakt.
Artikuj të ngjashëm

Më të lexuarat

Komente të fundit