Korça i është përjetë mirënjohës profesorit të nderuar të matematikës Gjergji Papanikolla!
Një homazh dhe kujtesë me mirënjohje për mësuesin korçar Gjergji Papanikolla.
Gjergji Papanikolla
(1946-2019)
Qytetarët korçarë e njohin si profesorin e matematikës, njeriun e mirë, të mençur, të thjeshtë e të butë dhe ashtu si unë, flasin për të me respektin më të madh. Shumë breza në Korçë kanë qenë nxënës të tij dhe ruajnë kujtime të shkëlqyera.
Gjergji Papanikolla ishte mësues i Matematikës dhe pjesën më të madhe të karrierës së tij mësimdhënëse prej 45 vjetësh, e zhvilloi në shkollën e mesme të përgjithshme “Themistokli Gërmenji” në Korçë, ku edhe unë pata fatin ta kem mësues për 4 vjet.
Profesor Gjergji, siç e njihnim të gjithë, ishte një profesionist shumë i mirë, i përkushtuar e korrekt, por dhe shumë i dashur me nxënësit e tij. Dinte të punonte me shumë kujdes në klasë për ta bërë lëndën që jepte, të kuptueshme e më të lehtë për të gjithë.
Ai mbushi me dije breza të tërë nxënësish, shumë nga të cilët shkëlqyen në Olimpiada kombëtare të Matematikës dhe u bënë profesionistë të zotë. Për meritat e tij në mësimdhënie, Gjergji Papanikolla kishte titullin “Mësues i Merituar”.
Por përpara se të ishte një matematicien dhe mësues, Gjergji Papanikolla ishte një njeri i mrekullueshëm dhe një qytetar shembullor, një njeri fisnik që Korça e ka në radhën e qytetarëve të vet të nderuar.
Gjergji nuk është më mes nesh, por ka lënë pas kujtime të mrekullueshme për familjen (Gerta Papanikolla), miqtë, kolegët e më së shumti për nxënësit e tij të dashur.
Respekt e mirënjohje për profesor Gjergji Papanikollën, për kontributin që ai dha në arsimimin e mirë të qindra nxënësve dhe për fisnikërinë e qytetarinë e tij!

Nertil Jole – Prefekt i Qarkut Korçë
@NewsIn.Al
