KreuKulturë / ArtNjë kujtim në mbrëmjen e Vitit të ri: "MAMAJA PËRKTHEN FILMA"/ Agim...

Një kujtim në mbrëmjen e Vitit të ri: “MAMAJA PËRKTHEN FILMA”/ Agim Xhafka.

MAMAJA PËRKTHEN FILMA.

Nga Agim Xhafka

Kur punoja gazetar një pjesë të shërbimeve i bëja Korçë e rreth saj. Malli pêr prindërit më nxiste. Ata ishin relativisht të rinj,por sërish unë i shihja si të moshuar se vajzat e mija shkonin në 8-vjeçare. Dhe sot ndjej emocion kur trokisja tek porta e nëna gati sa nuk rrëzonte pallatin nga gëzimi që më shihte. Lumturi mund ta quaj,në fakt qe më shumë.
Një rradhë mbërrita të djelë mbasdite. Ishte dimër e errësira nxinte më shumë nga që në rrugë xhanxhin njeri. Pas përqafimeve më dhanë një gotë raki e ata,babai e nëna,ndërkohë po shihnin një film amerikan tek tv Skopje.
-Mos më bërtit mua,-tha nëna
-Hë?- pyeta me çudi nga që nuk foli kush.
-Hahaha,-qeshi ajo.-Mos u shqetëso,bir. Po përkthej filmin.
Dhe vazhdoi:
-Të dua,i thotë Meku.Edhe unë,i tha ajo.
-Mama po ajo goca nuk foli fare,-i thashë unë.
-Po ama ajo qeshi. Kupton?
-O ma,ti nuk di anglisht asnjë fjalë si e merr vesh ç’thuhet?
-Kjo nuk eshtë radio,o djalë. Eshtë tv,televizor dmth. Nuk duhet gjuha. Ndaj filmi ka ngritje zëri,ka përqafime,bërtitje,këngë,ledhatime. Kështu flet filmi. Ka gjuhë të veçantë. Ku hyn anglishtja këtu?
Babai nuk ma zgjati. Dëgjonte përkthimin e unë luajta menç. Në darkë,duke ikur për te shtëpia e vëllait,pyeta babain:
-Kam vënë re se e dëgjon nënën verbazi. Nga mosha apo u lodhe e nuk do që ta kundershtosh?
-Unë e di që ajo nuk kupton gjuhë të huaj. Por di ama që pa film nuk jeton. Sidomos për romanca vdes. E ke dëgjuar që përmend shpesh “Nata e syrit të zi”? E kemi parë bashkë në kinema para 40 e ca vitesh. Eshtë prologu i dashurisë sonë. Atje nisi. Dhe ajo nuk i shenjon ngjarjet me data,por me filma. Sic më vonë di filmin kur linde ti. Ishte “Fan Fan Tulipani” kur u bëra me djalë,u thotë të gjithëve. Më vonë kur shteti solli në ekran kinezë,ajo nuk i ndiqte, nisi leximin e “Zonja Bovari”,”E kuqja dhe e Zeza”,”Gjeniu”… Kështu e ndërton jetën. Mban mend p.sh.kur i vdiq i ati. Po ta pyesësh thotë:”Sapo kisha lexuar “Ana Karenina”.
Ndalova dhe i tronditur pyeta:
-Vërtet? Mamaja ime,mo?
Ai qeshi. Më pa drejt në sy e vazhdoi:
-U martua sa mbaroi maturën. Në vend të shkonte në Evropë për shkollim,u prangos tek dashuria jone. Bëri fëmijë,mori zanate,punoi me norma e si skllave dhe nuk u qa. Botën e saj të gjithën e dorëzoi tek unë. Ndaj ia kam borxh çdo fjalë pa vend a përkthim kot.
Nënën e paskam njohur për aq sa më është dashur. Kaq pak.Turpi është imi,o botëmadhja ime.
-Shkojmë pak tek Spase,komshiu?
-Ok,-thashë.
Babai hyri e doli pas dhjetë minutash. Qeshte.
-Eshtë maqedonas,e pyeta për filmin që sapo pamë. Nuk e ka përkthyer gabim jot ëmë.
U përlota. Ç’të thoja? Doja shumë atë çast ta përqafoja fort nënën artiste. Edhe ajo më shumë se një përqafim nuk kërkoi . Kaq pak donte.Derisa iku e la një mal malli te unë…

@NewsIn.Al

Artikuj të ngjashëm

Më të lexuarat

Komente të fundit