Monday, March 24, 2025
spot_img
HomeAktualiteti“Një mbasdite janari…”/ Agim Xhafka

“Një mbasdite janari…”/ Agim Xhafka

NJË MBASDITE JANARI…

Më kujtohet, babain e thërrisnin shpesh në shkollë për capkënllëqet e mija. Vërtet isha nxenës i dalluar, por më i dalluar spikasja për rrëmujë e për shkelje rregullash. Merrja 10 në matematikë, por notë pakaluese për mungesa dhe për sherre të vogla. Të përditshme amà, jo një herë në hënë.
Kështu një mbasdite dimri ati im u vu prej meje në bankon e të akuzuarit. Mësuesi kujdestar i shkollës së mesme një mbasdite ftoi të gjithë prindërit. Ata do të gjykonin pse mua babai nuk më kishte rritur mirë, ashtu siç duhej pra dhe pse jo me disiplinën e kohës. Mbaj mend qe janar, errej shpejt e llampa e dobët në klasë i nxirrte të gjithë të zbehtë. Dihej, babai do të bënte autokritikë e tërci e vërci. Ashtu ndodhi vërtet. Në fund u zotua se qe hera e fundit që prindërit e klasës mblidheshin për mua. Kurrë nuk do ndodhte që djali im, unë dmth, të bënte vagabondllëqe apo shfaqje jo të hijshme. E pashë me buzë në gaz se ajo fjala “kurrë” nuk më vinte për osh. Ndofta që nesër do e dhisja muhabetin, do e nxirrja babain rrenacak. Po le t’ja hedhim përsot, nesër ka perëndia, thoshte shpesh gjyshja ime.
Kur nisën diskutimet më hypën nervat, m’u bënë tel i egër. Si ai që e përkul, e përkul dhe sa e lëshon shkon sërish atje ku ish, te forma e vet. Ia nisi babai i Cales, thoshte rrugaç për mua kur çuni i tij, Calja, ishte ngelës mo në gjthë ato lëndë. E veç kësaj pinte dhe cigare. Vërtet fshehur, mbyllej te banjot në pushimin e madh, ama tymoste. Babai më pa me inat dhe fësht më pickoi. Heshta. Më pas dërdëlliti babai i Belës. Punonte karrocier në komunale. Gjithë ditën ecte pas kuajve e nuk këmbente fjalë me askënd. Me kafshët do shkëmbente mendime? Ndaj nuk rreshti një orë. Përmendi që nga piramidat e Egjiptit e deri te Marksi. Madje do na lexonte dhe ca pjesë nga një roman edukativ që do i shërbejnë Agimit, sipas tij, por fat për të gjithë që e kishte harruar në shtëpi. Kur ai u ul të gjithë prindërit duartrokitën nga gëzimi. Ai e mori si lavdërim për oratorinë e tij e gati na u ngrit sërish, por e uli Lirika. Kush qe Lirika? Nëna e shoqes sime më të dashur, nëna e Kozetës.
-Se ti Alajdin,-filloi ajo dhe u kthye nga babai,-dhe Luftën Nacional-Çlirimtare nuk e ke ndihmuar me zemër. Të themi ca të vërteta.
Ra si bombë akuza e saj. Kaq tha dhe u ul. Ca minuta askush nuk foli. Babai u zverdh. E hëngrëm ndonjë internim andej nga Gjonomadhi, mendova. E m’u duk vetja kriminel që vura në siklet familjen. Por mësues Gavrili e ndreqi në çast :
-E ka në përgjithësi Lirika se ju jeni fis dëshmori nga nëna e Agimit. Apo jo?
Tundën kokën të gjithë e kaq qe. Mbledhja u mbyll.
Rrugës për në shtëpi pyeta tim atë:
-Sa vjeç ishe kur vendi u pushtua, o ba?
– As 7 vjeç!
-Po pse nuk u the, si mund te luftoja kur isha sa gjysma e pushkës?!
Ai nuk foli ca hapa e më pas më tha:
-E di ti që xhaxhai yt Emini është mësues matematike?
-Po, e di. Ai më ndihmon me problemat e vështirë.
-E di ti që kur u çlirua Shqipëria i shkuan ca partizanë në shtëpi dhe i thanë që duhej të rregjistrohej në kursin kundër analfabetizmit. Po unë di shkrim e këndim more, unë jam mësues, iu tha ai. Por ata vazhdonin të tyren, nuk hanin pykë fare. Ne nuk të pyetëm di a s’di të shkruash, i thanë. Të pyetëm, a ke bërë apo jo kurs kundë analfabetizmit? Jo, nuk kam bërë, por kam bërë shkollë kaq e kaq vite, u tha ai. Nuk duam t’ja dimë për shkollën tënde, të pyetëm për kursin kundër analfabetizmit dhe vetë e the që nuk e ke bërë. Ndaj marrsh atje. Dhe për 6 muaj çdo mbasdite shkonte mësues Emini në kurs të “mësonte” shkrim e lexim!
Ma dha përgjigjen. Në ato vite më mirë të heshtje se përballë nuk kishe njerëz. Kishe qënie të fandaksura, të fiksuar, të çmendur, dogmatikë dhe pa ndjenja. Si mure të ftohtë, plot lagështi e myk.
-Po si ka mundësi që Kozeta është vajza e Lirikës?-pyeta me çudi babain
-Mbase nuk është e saj, mo, -tha ai.
-Me siguri nuk është , -e vulosa unë.
Ama e besova. Se Kozeta qe ylli im, qe vetë dlirësia.

Agim Xhafka – Tregimi i së dielës

@NewsIn. Al

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments