Sebastian Zonja
Një nga pyetjet që bëhet shpesh dhe çel debat ka të bëjë me të ardhmen e vendit. Sipas meje, vendi ka hyrë në qorrsokak dhe zor se do dalim edhe për rreth dy apo tre dekada.
Së fundmi kam zbuluar një autor tjetër që merret me sistemet politike. Brus Meskita dhe Altazar Smith kanë botuar një studim me titullin “The Dictator’s Handbook: Why Bad Behavior is Almost Always Good Politics” nga (Bruce Bueno de Mesquita and Alastair Smith).
De Moskita është ekspert i “Game theory” ose “Teoria e lojës”. Autorët aplikojnë metoda matematike në logjikën politike. Duhet theksuar se “Teoria e lojës” qëndron në thelb të shumë strategjive në diplomaci, politikë, ushtri apo marketing.
Libri i tyre eksploron parimet që qëndrojnë pas sjelljeve politike të pushtetarëve, duke u përqendruar tek motivimet dhe strategjitë e udhëheqësve nëpër sisteme autokrate dhe demokratike.
Libri argumenton se veprimet politike, shpesh të konsideruara moralisht të dënueshme (vjedhja apo korrupsioni), burojnë prej nevojës me rujt pushtetin.
Më poshtë po ju sjell një përmbledhje e temave kryesore të trajtuara në libër.
Premisa kryesore në analizë: Pushteti dhe Mbijetesa
Udhëheqësit, qofshin ata demokratë apo diktatorë, janë kryesisht të motivuar nga nevoja, së pari, për ta siguruar dhe, më pas, për ta mbajtur pushtetin sa më gjatë. Sipas autorëve ka disa “rregulla për të qeverisur,” të cilat përcaktojnë strategjitë që përdorin liderët për të qëndruar në pushtet. Këto rregulla janë universale dhe zbatohen nëpër të gjitha format e qeverisjes. Makiavelit, shekuj më parë, këtë shkruan – si të qëndrojmë në pushtet. Dallimi midis qeverisjes së mirë dhe asaj të keqe nuk qëndron tek sfera morale, por tek kufizimet strukturore që imponon sistemi, argumentojnë autorët.
Përzgjedhja apo ndarja
Popullsia ndahet në tre grupe:
1. Ata që teorikisht kanë aftësinë për të ndikuar te pushteti.
2. Ata që në të vërtetë kanë fuqinë për të zgjedhur liderët.
3. Koalicioni fitues: Një pjesë e vogël (biznesmenë, oligarkë, agjitatorë etj) mbështetja e të cilëve është thelbësore për një lider që të qëndrojë në pushtet.
Madhësia e koalicionit fitues përcakton strategjitë e liderit. Në demokraci, për shembull, ku koalicioni është i madh, liderët duhet të ofrojnë të mira publike për të kënaqur mbështetësit. Në autokraci, rasti i Shqipërisë, ku koalicioni është i vogël, liderët fokusohen te të mirat private për të siguruar besnikërinë (tenderat e dhëna për miqtë)
Private vs. Publike
Në sisteme ku fitorja varet jo nga vota qytetare por nga lidhja me biznesin dhe krimin, pra kemi koalicion të vogël, liderët kanë prioritet të mirat private – shpërblime monetare ose pozita pushteti, për të ruajtur besnikërinë e miqve. Në krahun tjetër, koalicionet e mëdha kërkojnë realizimin e të mirave publike, si infrastruktura, kujdesi shëndetësor dhe arsimi për të siguruar mbështetje të gjerë. Prandaj, sa më i ngushtë rrethi i Edi Ramës, korrupsioni dhe nepotizmi do vijojnë të lulëzojnë.
Logjika e korrupsionit
Korrupsioni, ndonëse dënohet nga ligji dhe aleatët, është strategjia më racionale që liderët të qëndrojnë në pushtet. Duke pasuruar mbështetësit, liderët sigurojnë mbijetesën e tyre. Korrupsioni nuk është defekt, siç thonë se korrupsioni vajis sistemin apologjetët e tij, por veçori e sistemeve me koalicione të vogla. Liderët që dështojnë të shpërblejnë koalicionin e tyre rrezikojnë të humbasin pushtetin. Prandaj, oligarkët sa do vijnë e do fuqizohen dhe do marrin tendera duke mbyllur tregun përditë e më shumë.
Shtypja
Shtypja është një tjetër mjet në arsenalin e diktatorëve. Liderët përdorin forcën, mbikëqyrjen dhe frikësimin për të shtypur opozitën dhe për të ruajtur kontrollin politiko – social. “Teoria e lojës” na mëson se shtypja e opozitës dhe protestave është llogaritje kosto-përfitim: përdoret kur kostoja e shtypjes së kundërshtimit është më e ulët se rreziku i humbjes së pushtetit.
Ndihmat e huaja
Ndihmat e huaja analizohen sipas autorëve si mekanizëm që shpesh mbështet regjimet autoritare. Autorët argumentojnë se ndihma rrallë përdoret për të mirën e popullsisë së përgjithshme. Në vend të kësaj, ajo kanalizohet në të mira private për koalicionin fitues, duke siguruar stabilitetin politik e liderit. Kjo perspektivë interesante sfidon mendimin tradicional mbi qëllimet altruiste të ndihmës së huaj.
Ndryshimi i regjimit
Kur liderët dështojnë të kënaqin koalicionin e tyre fitues (krimin dhe oligarkët), ata bëhen të prekshëm ndaj grushteve të shtetit, revoltave ose zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Autorët analizojnë shembuj historikë, duke treguar se ndryshimi i regjimit shpesh sjell veçse zëvendësimin e një grupi të korruptuarish me një tjetër, përveç rasteve kur zbatohen reforma sistemike. Prandaj kudo dëgjon shprehjen “ulu prift, ngrihu hoxhë” për binomin Berisha – Rama.
Iluzioni i qëllimeve të mira
Liderët, edhe nëpër sisteme demokratike, nuk janë altruistë. Propaganda dhe filmat na dëftojnë një realitet iluzor dhe imagjinar. Liderët drejtohen nga interesat personale dhe nevoja për të mbajtur pushtetin. Vendime që duken fisnike në sipërfaqe, bonuse apo veprime nacionalistë, shpesh janë lëvizje të mirëllogaritura për të siguruar mbijetesën politike. Kjo përfshin vendime populiste, aleanca strategjike dhe madje edhe akte lufte.
Demokracia mbetet i vetmi lojtar në fushë
Të gjithë e dimë se demokracitë janë larg së qenit perfekte, por janë e vetmja mënyrë me rrit mirëqenien dhe mirëqeverisjen. Koalicionet e mëdha fituese nxisin qeverisje më të mirë krahasuar me autokracitë. Llogaridhënia publike dhe nevoja për t’u drejtuar tek një bazë më e gjerë mbështetësish detyron liderët demokratë të ofrojnë të mira publike. Megjithatë, edhe nëpër demokraci, liderët kanë prioritet që përfitimet të shkojnë tek mbështetësit e tyre kryesorë.
Nga t’ja mbajmë?
Rëndësia themelorë qëndron tek strukturat institucionale. Për shembull, SPAK-u sot. Sa më të fortë institucionet, aq më shumë ndikim kanë për të përmirësuar qeverisjen dhe formësuar sjelljen e politikanëve. Sa më i madh koalicioni fitues, zgjedhje të lira dhe të ndershme, aq më shumë zvogëlohet korrupsioni.
Do ua sugjeroja librin “The Dictator’s Handbook” sepse ofron këndvështrim pragmatik dhe, ndonjëherë, cinik mbi sjelljet politike.
@NewsIn.Al

