Nuk shkoi as në dasmën e të birit, Trump po përgatit sulmin final kundër Iranit
Donald Trump po përgatit goditjen finale kundër Iranit: Sipas Axios, burime pranë presidentit amerikan flasin për nisjen e një operacioni ushtarak përfundimtar në shkallë të gjerë, pas të cilit kreu i Shtëpisë së Bardhë të shpallë fitoren dhe t’i japë fund luftës.
Një hipotezë e tillë u raportua disa orë më parë edhe nga CBS. Ndonëse nuk është marrë asnjë vendim final, administrata e Trump po përgatitet për një seri të re sulmesh kundër Iranit, raportoi media e njohur amerikane, sipas të cilës disa zyrtarë të lartë të ushtrisë dhe shërbimeve të inteligjencës kanë anuluar planet e tyre për fundjavën, për shkak të mundësisë që të miratohet një ofensivë e re ushtarake.
Vetë Trump do të qëndrojë në Shtëpinë e Bardhë dhe nuk do të marrë pjesë në dasmën e djalit të tij, Donald Jr. “Mendoj se është e rëndësishme për mua të qëndroj në Uashington, D.C. gjatë kësaj kohe të rëndësishme”, ka shkruar ai në rrjetet sociale. Zyrtarë të lartë kanë anuluar gjithashtu programet e tyre për Memorial Day të hënën. Lajmi mbërrin në një kohë kur pas tre muajsh konflikti, Donald Trump po përballet me pyetjen nëse SHBA-ja po e humbet luftën me Republikën islamike.
Me Iranin që ka kontroll të plotë mbi Ngushticën e Hormuzit, rezistencën që ai po i bën kërkesave për ndalimin e programit bërthamor dhe qeverinë teokratike ende në masë të madhe, po shtohen dyshimet, shkruan Reuters, nëse Trump mund t’i shndërrojë sukseset taktike ushtarake të SHBA-së në një rezultat të cilin ai mund ta paraqesë bindshëm si një fitore gjeopolitike.
@NewsIn.Al
