Thursday, August 13, 2026
spot_img
HomeOpinionO brezi im, sa kot ke ikur.../ Tenor, Gjergji Sulioti

O brezi im, sa kot ke ikur…/ Tenor, Gjergji Sulioti

O brezi im, sa kot ke ikur…

Janë disa zëra që megjithëse u gjetën në sipërfaqe për një periudhë të konsiderueshme kohore, më pas për shkak të konjukturave u zhdukën. Pothuajse gjithë brezi im, një seri artistësh të artë. Njerëz të ndershëm, të thjeshtë, të talentuar të cilët i dhanë shpirtin këtij populli të përvuajtur. Αta konsumoheshin, në skena muzikore si produkt që partia/shtet ua jepte masave falas. Ekzistonin si një dritare e hapur në burgun e gjerë të Shqipërisë.
Jetonin për vite të tëra në kushte të mjerueshme në konvikte, punonin në llaç, në ndërtim, në oborre e tarraca si punëtorë krahu, në punë fizike me gjithë absurditetin e një regjimi të sëmurë që abuzoi me artin në mënyrën më të keqe, që fshiu çdo formë lirie. Me kushte të mjerueshme banimi, me punë të rënda fizike, me rroga urie, me këpucë të grisura, me kostume të konsumuara, në skena muzikore të kalbura, në fshat, në qytet, në kantier dhe me frikën e përjetshme të ndëshkimit, të shfarosjes fizike nga roje partiake injorante dhe të paaftë, shkuan dhunshëm kundër natyrës origjinale të artistit, pa llogaritur lodhjen, qëndrueshmërinë dhe emocionet. Më në fund ia dolën dhe dhanë një epokë të artë artistike, të gjithë së bashku dhe secili veç e veç, disa më pak e disa më shumë, si gishtat e dorës, të cilët edhe pse të ndryshëm nga njëri-tjetri, luajnë rolin e tyre për rezultatin më të mirë. Jo vetëm zogj të burgosur në kafazin e një tiranie absurde por të detyruar të këndojnë edhe këngën që këndonin damaskët e tyre. Dhe kur u hap me kalimin e viteve, ky kafaz dhe zogjtë dolën jashtë dhe disa ishin lënduar në mënyrë të pariparueshme, regjimi i ri i shtypi me sjelljen më të keqe hakmarrëse, i la të vdisnin nga uria, nga mjerimi, nga migrimi pa as më të voglën njohje formale. Dhe të tjerë, njerëz krejtësisht të parëndësishëm të brezit tonë, morën gjithçka, pa kontribut, pa dije, pa punë por me të njohur. O brezi im, ke ikur dëm fare kot.

Gjergj Sulioti-këngëtar lirik
**Nga ditari i ankesave

@NewsIn.Al

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments