Për farën që po mbjellim sot!
Dje në datë 07 mars 2022 është festuar 135 vjetori i hapjes së Mësonjëtores së parë shqipe me mësues dhe drejtor të parë të saj z. Pandeli Sotiri. Kjo ditë është pagëzuar si “Dita e Mësuesit” për të përkujtuar atë ngjarje të rëndësishme kulturore dhe historike për vendin tonë.
Edhe pse në kushte të vështira, kur mësimi i gjuhës shqipe për shkak të kushteve të ndodhura nën sundimin osman ishte reptësisht i ndaluar, mësonjëtorja e Korçës qëndroi e hapur për gati 20 vjet. Mësues të saj ishin figura të njohura të Rilindjes shqiptare si : Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Thoma Avrami deri tek Hafiz Ali Korça. Kontributi i madh që këta atdhetarë dhe veprimtarë të shquar dhanë për kombin, dëshmohet nga dëshira e zjarrtë që ata kishin për të përhapur dijen në popull. Me ato mundësi që kishin ata u bënë iniciatorët e krijimit të teksteve të para shkollore të dokumentuara. Ata i përkushtuan një rëndësi te madhe pajisjes me mjetet e duhura të mësimdhënies, për të bërë më tej dhe shpërndarjen e tyre te nxënësit e tyre. Të edukuar me frymën e lartë të patriotizmit këta nxënës do të bëheshin në të ardhmen pasuesit e denjë të ideologjisë së mësuesve të tyre dhe luftëtarë të devotshem në luftën për liri dhe pavarësi.
Duke nisur që nga Diamant Tërpo, patrioti korçar i cili dhuroi godinën ku u hap Mësonjtorja e Parë Shqipe dhe duke vazhduar me mësuesit që dhanë mësim në këtë shkollë, ata nuk u nisën nga përfitime personale apo ekonomike por ata dhanë nga pasuria e tyre madje edhe jetën e tyre për të përhapur shkronjat shqip. Tek ta gjen mëshirim shprehja e Sami Frashërit : “Nëse do të mbjellësh për një vit, mbill misër e grurë. Nëse kërkon që të mbjellësh përgjithmonë, mbill arsim e kulturë”.
Pra këto figura mbollën farën e kulturës dhe patriotizmit tek pasardhësit e tyre, prandaj kujtohen sot dhe do të kujtohen gjithmonë ne përjetësi.
Këtë farë vazhduan ta mbjellin me kujdes dhe përkushtim edhe pasardhësit e tyre madje përgjatë viteve 1945 – 1990 në Shqipëri, për të nxitur mësimdhënien e një cilësie sa më të lartë, mësuesit më të dalluar shpërbleheshin me dekorata të larta që ishin Mësues i Merituar dhe Mësues i Popullit.
Po sot çfarë farë po mbjellim? Si po e mbjellim? A po kujdesemi që kjo farë të rritet e shëndetshme dhe brezat që do vijnë ta kujtojnë këtë gjeneratë së bashku me brezat paraardhës çdo 7 mars dhe jo vetëm?
Farëmbjellësi i sotëm duhet ti ngjajë farëmbjellësit të David Selenicasit, gjeniut të ngjyrave të ikonografisë shqiptare.
Ai duhet të përçojë Fjalën.
Ai duhet të mbjellë farën e përtëritjes, dijes, shpresës, besimit, që njeriu dhe shoqëria njerëzore ta shohin botën me sy hapur.
Ai duhet të jetë farëmbjellës i dashurisë dhe mirësisë, i paqes dhe bukurisë njerëzore.
Ai duhet të jetë universal, tokësor dhe qiellor njëkohesisht, i urtë, i dhembshur, i duruar, të ketë shpirtin e dashurisë.
Ai duhet të jetë pararojë, që me përkushtim dhe solidaritet njerëzor ti japë njeriut mësimet themelore, të mirën, moralin, ta bëjë të kuptojë që feja e shqiptarit eshte shqiptaria dhe të kujdeset gjithmonë për vendlindjen.
Ai duhet të sjellë dritën që njërëzit mos e shohin botën bardh e zi.
Ai duhet të mbjellë farë në emër të jetës!
Petrika Tollkuçi
@NewsIn.Al

