Përse, ne shqiptarëve, na mungon Akti original i shpalljes të Pavarësisë?!
Opinion nga Klodi Stralla
Në aspektin dokumentar është një mangësi serioze për cilindo shtet kur i mungon Akti original i shpalljes të Pavarësisë të vet. Një shtet i tillë (nuk di të ketë të tjerë) është edhe shteti shqiptar, i pavarësuar nga Perandoria osmane në 28 nëntor 1912, me Deklaratën e Pavarësisë në Vlorë.
Ne sot kemi vetëm një Akt (jo origjinalin), që e publikoi në vitin 1937, Lef Nosi, njëri prej firmëtarëve, me rastin e kremtimeve të 25 vjetorit, në kohën e Mbretërisë.
Ku është origjinali dhe përse kaq e vështirë të gjendet?
Unë mendoj (amendësoj) se ai (Akti) me siguri duhet të ndodhet të paktën në tre kryeqytetet europjane: Londër, Vjenë dhe Stamboll, sepse, në të parin (Londër), kur u vendos krijimi i shtetit shqiptar (Konferenca e Ambasadorëve, 29 korrik 1913), pa tjetër austriakët që e mbështetën atë, kanë treguar faktin (Aktin) që shqiparët e kanë shpallur vetë mëvetësinë disa muaj më pare, prandaj duhet t’ua njohim atë; së dyti në Vjenë, si selia e Perandorisë më e interesuara për pengimin e daljes në Adriatik (Durrës-Otranto) të fqinjëve tanë, grekë dhe serbë, dhe pa tjetër në Stamboll, sepse ishte Perandoria osmane që po largohej nga Ballkani (Luftrat ballkanike 1912-1913), ajo që dha pelqimin dhe mbështetjen që shqiptarët, me shumicë muslimane, të kishin shtetin e tyre, i cili do të ishte një aleat natyror i Turqisë në të ardhmen.
Ka shumë gjasa që, për të shmangur pengesat e mundëshme nga autoritetet vendore osmane (ushtëria, xhandarmaria dhe klerikët), por edhe mentalitetin e shumë shqiptarëve të otomanizuar, që e shihnin si fatkeqësi shkëputjen nga Dovleti, në Preambulën e Aktit të Pavarësisë të jetë theksuar fakti që: – “Me vullnetin e Allahut dhe Sulltanit tonë të madhërishëm….”, ngjashmërisht me dhjetorin e 1990-ës, kur demokratët që themeluan Partinë Demokratike, artikulonin emrin e presidentit R. Alia si ideatorin dhe frymëzuesin e demokratizimit të vendit.
Natyrisht, nëse është kështu, kjo e kompromenton disi vullnetin e një pjese të firmetareve dhe përmbajtjen e vetë Aktit. Por le të mos spekullojmë por t’ia lemë kohës t’a thotë të vërtetën!
@NewsIn.Al
