PESHORJA…
-Pse nuk ka “kandar” për emocionet tona?–
Kujtesa më çon larg: isha i vogël. Shkonim te dyqani i fshatit, pranë xhadesë, që ishte edhe rrugë kombëtare. Në Pretushë, vendlindjen time. Muharrem Aliçkolli dhe kushëriri i tij, Maliq Aliçkolli, derë bejlerësh, ishin dy shembuj interesantë të “shitjes me kulturë”. Ishin mjeshtra të buzëqeshjes dhe të shitjes me artin e sjelljes…
Nuk më shqitet nga mendja peshorja me gurë, deri edhe me peshën 10 apo 5 gramë, te dyqani ku shërbente Rremja, siç e thërrisnim. Buzëqeshja e tij dhe e bashkëshortes, Pëllumbeshës, ishte “shitja” e parë e çdo dite. Fytyrat e tyre sikur më shfaqen përherë në anën tjetër të peshores. Blinim miell, sheqer, kripë, marmelatë, ullinj, cironka… Çdo gjë matej me gramë në peshore. Dy gjuhëzat metalike lëkundeshin lehtë e sikur puthnin njëra-tjetrën, dhe pesha e saktë, bashkë me çmimin, shënohej në defter. Ne paguanim ose prisnim “ditët e punës”…
Ajo peshore, ajo lëkundje e lehtë e dy krahëve dhe “puthja” e peshores më ndoqën gjithë jetën. Ishte një peshim perfekt. Kurrë nuk dyshova në atë balancë e saktësi… derisa, një ditë, një komshi imi në Allias do të më tregonte një hile pazari. Familja e tij shiste kafe me shumicë në pazar dhe ai, me një sinqeritet të çuditshëm, më shpjegoi se si vidhej çdo klient me një “mjeshtëri” që atij i dukej shpikje.
“Po si e bëni?” – e pyeta.
“Shumë thjesht. Ne shesim me kandar. Koqes së kandarit i gërryejmë 10-20 gramë nga poshtë dhe askujt nuk i shkon mendja…”
“Po kjo është vjedhje!” – gati klitha, duke kujtuar shitësin e ndershëm të fshatit.
“Paske mbetur pas. Jetojmë në demokraci, jo në socializmin tënd…” – m’u përgjigj komshiu.
Akoma kujtoj pazaret në dyqanin e fshatit. Gurët e peshores sikur “flasin” me mua edhe sot: “Haka tek i zoti…” Jam i sigurt se shitësi i fshatit tim nuk e kishte menduar kurrë hilen e komshiut tim në Allias. Kurrë. “Puthja” e asaj peshoreje ishte balanca që më ka ndjekur gjithë kohën… dhe kurrë nuk m’u “morën mendtë”…
Pikërisht duke kujtuar “kohën e ndershmërisë”, barktharë e veshur keq, duke kujtuar peshoren mbi banakun e dyqanit të fshatit, një pyetje më ka ngacmuar përherë: si ta “matim” dashurinë dhe urrejtjen? Si mundet që sot shkenca të masë në detaje distanca ndërgalaktike, por ende të mos ketë shpikur një “peshore” që mat dashurinë dhe urrejtjen? Ndershmërinë dhe hilenë? Pse këto ndjesi të trazuara të njeriut mbeten të pamatshme?…
“Nuk peshohet shpirti. Shpirti është shpirt. Aliazh i dashurisë dhe urrejtjes… Kot pyet.”
Ky zë “ulet” brenda meje dhe më rrëfen urrejtjet e dashuritë shqiptare; “puthjet” buzë më buzë të shekullit të ikur dhe shpatat, thikat, teh më teh… Pastaj urrejtjet pa fund të jetës në liri, që kapërcyen çdo lloj balance ndjenjash dhe klithmash.
“Dashuria, kur tejpiqet, kthehet në urrejtje. Pastaj, nga urrejtja lind një ‘dashuri e re’. Ky është cikli shqiptar, por edhe njerëzor”, – më thotë zëri i panjohur.
Unë hesht. Sjell në kujtesë çaste të jetuara. Kam dashur e kam urryer, kam qarë e kam qeshur. Si koha, si retë, si shiu e dielli, është njeriu…
Po shqiptarët? – pyes unë. Po ata, a e kujtojnë dot peshoren perfekte të fshatit tim?
“Ahaaa, po pyet shumë”, – më thotë ky zë. “A nuk thoni se jeni kombi më i lashtë? A nuk thoni se gjuha juaj ‘shpiku’ gjuhët e botës? A nuk ishit Iliria deri në Danub, por tashmë të ‘bërë synet’?… Pra, jeni komb i veçantë, por mbahuni fort pas asaj që ju ka ngelur…”
Zgjohem i frikësuar. Atdheu ku linda nuk ka “peshore” për të matur shpirtin e vet. Atdheu mbetet i zemëruar me veten. Njerëzit bërtasin. Armiqtë e vërtetë nuk kanë guxim të afrohen. Thjesht vështrojnë “teatrin e urrejtjes”. Nuk ka “kandar” ta peshojë këtë urrejtje. Ose ka, por është si ai “kandari i demokracisë” që shiste kafe me shumicë!
Ku ta gjejmë një “kandar” për të peshuar hallet e Shqipërisë? Të ndershmit kanë vdekur. Shumë idealistë “janë arratisur”. Jemi një “komb jetim”. Nuk kemi baballarë si Baballarët që nderon Amerika. I kemi varrosur të gjithë ata që premtuan Shqipërinë e vërtetë. Jemi komb që, çdo gjysmë shekulli, i hapim “varrin vetes”…Kush e tha atë shprehjen: “Selanik e tatëpjetë, siç ka qenë, do të jetë”?!
Ah, sikur të kishim një “peshore” për urrejtjet dhe dashuritë tona pa kufij e pa cak!
SHEFQET MEKO
Minneapolis, qershor 2026
@NewsIn.Al
